Flash News

KRYESORE

Basha: Dako duhet të ishte në burg, përmes krimit kontrollon pushtetin lokal dhe drejtësinë në Durrës

Basha: Dako duhet të ishte në burg, përmes krimit kontrollon

Një ditë pasi Gjykata e Durrësit i dha mandatin Valbona Sakos për drejtimin e Bashkisë së qytetit bregdetar, reagon sërish kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryedemokrati thekson se Rama, përmes Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal dhe drejtësinë në Durrës.

Sipas Bashës, Dako duhet të ishte në burg pasi liroi Lul Berishën, apo akuzohet si bashkëpunëtor i bandës së Avdylajve dhe për pastrim parash.

“Edi Rama përmes Vangjush Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër të Durrësit. Bashkëpunëtori i bandës kriminale të Avdylajve, liruesi nga burgu i Lul Berishës dhe pastruesi i parave të krimit në Durrës, duhet të ishte në burg, por ai është padroni i atyre që duhet ta dërgonin në burg.

Drejtësia në të gjithë Shqipërinë është sot në duart e krimit dhe të organizatës kriminale të rilindjes. Sot mes rilindësve dhe krimit nuk ka më asnjë ndryshim. Jemi kthyer në kohët e errëta, kur drejtësia ishte partia kriminale.

Me këtë drejtësi nuk do ketë kurrë politikanë në pranga, nuk do ketë kurrë kriminelë në burg. Me këtë drejtësi, prangat janë për njerëzit e thjeshtë dhe krimi e hajdutëria qeveritare bëjnë kërdinë. Çlirimi i vendit nga sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në qeveri është domosdoshmëri për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe stabilitetin e vendit”, thekson Basha.

Të fundit