Flash News

Bota

Dënohet me 20 vite burg kirurgu francez që abuzoi seksualisht me mbi 300 pacientë

Dënohet me 20 vite burg kirurgu francez që abuzoi seksualisht me mbi
Një nga rastet më tronditëse të abuzimit seksual në historinë e mjekësisë franceze ka marrë dënimin përfundimtar. Ish-kirurgu Joel Le Scouarnec, 74 vjeç, është dënuar me 20 vite burg për abuzim seksual ndaj 299 pacientëve, mes të cilëve fëmijë, të sëmurë dhe persona të pambrojtur.

Krimet kanë ndodhur gjatë një periudhe prej mbi 25 vitesh, nga viti 1989 deri në vitin 2014. Le Scouarnec kishte pranuar fajësinë në muajin mars, ndërsa gjatë procesit gjyqësor në Bretanjë, dhjetëra viktima dhanë dëshmi rrëqethëse për traumën që kishin përjetuar gjatë periudhave të kujdesit mjekësor nën duart e tij.

Sipas gjykatëses Aude Burési, Le Scouarnec zgjidhte enkas viktima në gjendje të dobët shëndetësore, shpeshherë nën efektin e anestezisë ose sapo zgjuar nga operacionet. Një pjesë e konsiderueshme e viktimave ishin fëmijë, përfshirë edhe dy mbesat e tij, për të cilat ai ishte dënuar më herët, në vitin 2020, me 15 vjet burg.

Hetimet që çuan në identifikimin e dhjetëra viktimave u bazuan në ditarët e detajuar që Le Scouarnec mbante, ku përshkruante me hollësi grafike aktet e abuzimit. Shumë prej viktimave nuk kishin pasur kujtime të qarta të ngjarjeve deri në zbulimin e këtyre provave.

“Njëzet vjet janë tepër pak për përmasat e krimeve. Është koha që ligji të ndryshojë për të dhënë drejtësi të vërtetë për viktimat,” deklaroi Francesca Satta, avokate e disa prej të dëmtuarve.

Një nga viktimat, Amélie Lévêque, shprehu zhgënjimin e saj: “Të mendosh se ai mund të ecë një ditë i lirë në rrugë është tronditëse. Ai na mori jetën, dhe tani atij i kthehet jeta.”

Në deklaratën e tij të fundit në gjykatë, Le Scouarnec pranoi:
“Nuk mund ta shoh më veten njësoj sepse jam një pedofil dhe përdhunues fëmijësh. Kam dëgjuar vuajtjen e njerëzve që kam dëmtuar dhe e di që jam përgjegjës për të.”

Ky rast ka shkaktuar indinjatë të thellë në Francë, duke hapur sërish debatin për mbikëqyrjen, kontrollin dhe etikën në sistemin shëndetësor, si dhe për forcimin e masave ligjore ndaj krimeve seksuale.

Të fundit