Flash News

Bota

‘Çmendet’ moti në Itali. Tornado fluturon çadrat dhe shezlonet në qiell

‘Çmendet’ moti në Itali. Tornado fluturon çadrat

Një stuhi e fortë ka goditur veriun e Italisë. Siç raportohet moti i keq ka prekur më shumë rajonet Piemonte dhe Lombardi. Gjatë stuhisë, një burrë ka humbur pranë Torinos dhe, për shkak të përmbytjes së lumit, është shembur një urë.

Uji ka përmbytur rrugët e Torinos, Val di Susa dhe Val Cisonea. Lumi Gerardo ka dalë nga shtrati, duke shembur një urë në fshatin Giordani. Sipas informacioneve të para, në fshatin Kombe janë izoluar rreth njëzet persona. Lumi ka dalë nga shtrati edhe në qytetin Busoleno, duke ndërprerë trafikun në rrugën shtetërore, gjë që ka izoluar rreth tridhjetë persona. 

Afër Torinos, një burrë 58-vjeçar është zhdukur pasi traktorin me të cilin udhëtonte e mori lumi. Zjarrfikësit janë duke e kërkuar, por moti i keq po e vështirëson misionin e kërkim/shpëtimit. Një shi i fortë me erëra të fuqishme, megjithëse të shkurtra, ka goditur edhe Barin, duke shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të trafikut. Nënkalimi në qendër të qytetit dhe nënkalimi hekurudhor janë përmbytur dhe janë mbyllur për trafikun. Vetëtimat shkaktuan disa minuta ndërprerje të energjisë elektrike në qendër të qytetit.

Në Venedik, baticat sërish kanë shkaktuar probleme dhe Sheshi i Shën Markut është nën ujë, ndërsa sistemi i digave Mose nuk është aktivizuar, kështu që janë ndezur sirenat e alarmit. Përveç kësaj, qytetarët kanë marrë edhe mesazhe SMS për të paralajmëruar për rrezikun e përmbytjeve. Shirat e vazhdueshëm në Milano kanë shkaktuar rritjen e nivelit të disa lumenjve. Lumi Lambro ka arritur 2.60 metra dhe për këtë arsye janë evakuuar dy shtëpi për të moshuarit. Lagjja Ponte Lambro është përmbytur.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të shpëtuar njerëzit në disa automjete që ishin bllokuar në një nënkalim të përmbytur. Erërat me shpejtësi mbi 100 km/h në Genoa dhe shiu i rrëmbyeshëm në Ligurian kanë rrëzuar pemët dhe tabela reklamuese. Shumë zona janë përmbytur. Në Toskanë është filmuar një tornado që ka marrë me vete shtretërit e plazhit dhe çadrat e diellit. 

Të fundit