Flash News

Ditari i Opozitës

“113-Vjetori e gjen Policinë e Shtetit në ditët më të zeza”, Balliu: Ilir Proda, koordinator i krimit të organizuar

“113-Vjetori e gjen Policinë e Shtetit në ditët më
Në ditën kur Policia e Shtetit shënon 113 vite nga krijimi i saj, opozita ngre akuza të forta për gjendjen në të cilën ndodhet ky institucion. Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se përvjetori e gjen policinë të rrënuar moralisht dhe institucionalisht, larg misionit të saj për t’u shërbyer qytetarëve.

Sipas Balliut, qeveria ka ndërtuar një sistem që penalizon punonjësit e ndershëm të policisë dhe mbron ata që janë të lidhur me veprimtari kriminale. Ai solli si shembuj raste konkrete të efektivëve që, sipas tij, janë përndjekur apo detyruar të largohen nga vendi pasi kanë denoncuar afera të rënda, duke përmendur Dritan Zaganin dhe Emiljano Nuhun.

Deputeti demokrat theksoi se largimi i zërave kritikë nga radhët e policisë nuk është rastësi, por një strategji e qëllimshme për të frikësuar çdo efektiv që guxon të kundërshtojë paligjshmërinë. Në këtë kontekst, Balliu akuzoi drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit se janë të emëruar politikisht dhe se shërbejnë si hallkë lidhëse mes pushtetit dhe krimit të organizuar.

Ai deklaroi se sot në strukturat drejtuese të policisë ka individë të përfshirë në skandale të rënda, që sipas tij dalin edhe në përgjime, duke cenuar rëndë besimin e qytetarëve tek uniforma blu. Balliu e cilësoi këtë realitet si të papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me interesin publik.

Deklarata e deputetit Klevis Balliu:

“113 vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit e ka gjetur këtë strukturë në ditët më të zeza të historisë së saj. Edi Rama ia ka ndërruar drejtimin Policisë, nga shërbyese e qytetarëve, në paradhomë të krimit të organizuar.

Faktet kanë treguar se Edi Rama i përçmon, i përndjek, i poshtëron publikisht, dhe madje edhe i burgos policët e ndershëm, ata që janë betuar të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarit.

A nuk ishte rasti i Dritan Zaganit, policit që u burgos personalisht nga Edi Rama sepse denoncoi trafikun e kushërinjve dhe të ministrit Sajmir Tahiri, një shembull i qartë i kësaj?

Po rasti i Emiljano Nuhut, që u kërcënua me jetë se denoncoi bashkëpunimin e Taulant Ballës me bandën kriminale të Rrajave, dhe u linçua publikisht nga Edi Rama?

Synimi ka qenë i qartë. Të përzënë çdo polic dinjitoz, që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit.

Sot në krye të Policisë së Shtetit është Ilirjan Proda i emëruarin i krimit të organizuar, dhe koordinatori i Ramës me narkotrafikun, Ergys Agasi.

Sot ka shefa policie dhe drejtorë që dalin në përgjime si prodhues dhe trafikantë droge, që manipulojnë provat në favor të kriminelëve, që u japin informacion vrasësve me pagesë, që u nxjerrin në pritë kriminelëve policët e ndershëm, duke ccuar informacion te shokët e tyre banditë.

Kjo nuk është Policia që duan shqiptarë. Kjo është Policia që do Edi Rama, Belinda Balluku, Ergys Agasi, banda e Suel Çelës, e Bajrave, Çopjave, dhe të gjitha bandat e tjera që vjedhin zgjedhjet, burgosin qytetarët dhe marrin peng biznesmenët.

Në këtë 113 vjetor të trishtë për uniformat blu, Partia Demokratike, u bën thirrje të gjithë policëve të ndershëm, të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të drejtuesve narkotrafikantë dhe të Edi Ramës, dhe t’i bashkohen përpjekjeve kombëtare, të opozitës dhe çdo qytetari të ndershëm, për të hequr qafe këtë bandë vjedhësish, që po mban peng të ardhmen e shqiptarëve që kanë vendosur të jetojnë në atdhe.

Sot është dita e duhur për të kërkuar dorëheqjen e kryebanditit që është veshur kryepolic, kryeministër, kryeredaktor, dhe që e ka futur Policinë dhe vendin në rrugë pa krye: Edi Ramën.

Jep dorëheqjen para se të pësosh fatin e merituar të Maduros dhe Ajatollahëve!”.

Të fundit