Flash News

Ditari i Opozitës

Banka Shqiptare e Zhvillimit, PD: Varianti i propozuar nga Rama, kopje e keqe e propozimit të PD

Banka Shqiptare e Zhvillimit, PD: Varianti i propozuar nga Rama, kopje e keqe e

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Akil Kraja, ka bërë një deklaratë lidhur me krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, projekt që është pjesë e programit qeverisës të PD-së.

Kraja tha se ky projekt është shpallur për herë të parë në vitin 2012, dhe u përfshi sërish në programin e PD-së në vitin 2025.

Demokrati, po ashtu, ka kritikuar ashpër procedurën e miratimit të projekt-ligjit, duke e quajtur atë të nxituar dhe jo-konsultativ.

DEKLARATA:

Krijimi i një Banke Shqiptare të Zhvillimit është një angazhim i fortë programit qeverisës të Partisë Demokratike, në shërbim të promovimit të produkteve ‘Made in Albania’.

Një angazhim i cili është deklaruar për herë të parë në vitin 2012, dhe që u përfshi sërish në programin e PD-së në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Por duke e tjetërsuar tërësisht nëpërmjet një procedure legjislative të përshpejtuar, Edi Rama i paraqet parlamentit shqiptar kopjen më të keqe të mundshme të këtij projekti.

Varianti i Edi Ramës për Bankën Shqiptare të Zhvillimit has në kundërshtimin e ekspertëve të Bankës Botërore dhe të Komisionit Europian në Shqipëri. Por jo vetëm, edhe institucionet bankare dhe ato financiare janë shprehur gjithashtu kundra në bllok. Qeveria shqiptare, në një proces jo-transparent dhe jo-konsultativ, propozon krijimin e një Banke shtetërore e cila parashikon të mbledhë depozitat e qytetarëve shqiptarë, tërësisht jashtë kuadrit mbikëqyrës të Bankës qendrore të Republikës së Shqipërisë.

Kjo do të thotë që paratë e shqiptarëve, do të investohen në kredi e financime nga nëpunësit e kësaj Banke shtetërore, jashtë rregullave strikte të mbikëqyrjes që u aplikohen bankave private në vend. Më tej, projekt-ligji parashikon që kjo mbledhje e kursimeve të parave të qytetarëve shqiptarë, do të bëhet nëpërmjet rrjetit të zyrave të Postës Shqiptare. Një institucion me një drejtim thellësisht politik, për të mos thënë militantesk, Posta Shqiptare nuk ka as kompetencat, teknologjitë, proceset e nevojshme për të mbledhur depozitat e shqiptarëve. Theksojmë se Posta Shqiptare nuk është e licencuar të ushtrojë një aktivitet financiar nga Banka Qendrore e Shqipërisë.

Edhe vetë qeveria është e ndërgjegjshme që ky projekt mbart rreziqe të larta për kursimet e shtetasve shqiptarë, ndaj propozon që Shteti, pra taksa-paguesit, do të duhet të garantojnë 100% të depozitave në rast të shfaqjes së problemeve të portofolit të financimit. Një zgjidhje e cila bie ndesh me ligjin shqiptar të sigurimit të depozitave i cili parashikon një tavan prej 2.5 milion lekësh.

Në përmbyllje, projekt-ligji në formën aktuale, jo vetëm parashtron një konkurrencë të padrejtë ndaj bankave private, jashtë çdo mbikëqyrjeje profesionale nga Banka qendrore, por qartazi hedh hije dyshimi se mund të jemi përballë një projekti piramidal ku me paratë e shqiptarëve, financohen nisma private okulte e kriminale, si ato që janë hasur nën petkun e statusit të investitorit strategjik.

Shembulli skandaloz e korruptiv sesi fondet e AZHBR-së vidheshin nga familjarët e pushtetarëve socialistë në vend që të mbështesnin fermerin shqiptare, dëshmon qartazi se Banka Zhvillimore e Ramës është institucioni më i ri për të garantuar mega-vjedhjen e radhës.

Partia Demokratike angazhohet të mbështesë prodhimet Made in Albania dhe çdo sipërmarrje eksportuese nëpërmjet skemave transparente, me impakt real dhe në bashkëpunim me sektorin financiar në vend. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar një Shqipëri realisht madhështore.

Të fundit