Flash News

Ditari i Opozitës

Rasti 'Balluku', Bylykbashi: Rama ka kthyer Parlamentin në një sistem imunitar për pushtetin e tij

Rasti 'Balluku', Bylykbashi: Rama ka kthyer Parlamentin në

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe veprimet e mazhorancës në raport me kërkesat e drejtësisë.
I ftuar në studion e News24,  Bylykbashi tha se mjafton leximi i dosjes së Ballukut në Këshillin e Mandateve për të kuptuar seriozitetin e situatës. Ai theksoi se relacioni i prokurorit është tronditës dhe ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e shtetit.

“Kur lexon relacionin e prokurorit, vë duart në kokë. Të duket e pabesueshme si mund të funksionojë shteti në një mënyrë kaq të sëmurë,” u shpreh deputeti i PD-së.

Bylykbashi deklaroi se opozita ka kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, por kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka refuzuar ta thërrasë. Për këtë arsye, sipas tij, Partia Demokratike ka depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj Peleshit, duke e akuzuar për bllokim të funksionimit institucional.

“Ai po zbaton urdhra të Edi Ramës. Rama ka bllokuar qëllimisht procesin,” tha Bylykbashi.

Ndërkohë, ai shtoi se Prokuroria ka kërkuar masë arresti, por për zëvendësimin e masës kërkohet leja e Kuvendit, e cila po pengohet nga mazhoranca.

“Rama ka kthyer Parlamentin në një sistem imunitar për pushtetin e vet,” u shpreh Bylykbashi, duke kujtuar se rasti më i gjatë për heqjen e mandatit në të kaluarën ka qenë ai i Sali Berishës, që ka zgjatur vetëm nëntë ditë.

 

Të fundit