Flash News

KRYESORE

Dyshimet mbi “dhomën e këshillimit”, KED do zgjedhë në fshehtësi emrat e drejtësisë së re

Dyshimet mbi “dhomën e këshillimit”, KED do zgjedhë

Në një kohë kur institucionet e reja të drejtësisë vijojnë të formohen, ato që tashmë janë ngritur po deformohen nga vendime që merren në kundërshtim me Kushtetutën. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit të ri që po ngrihet pas reformës, por vendimet e fundit që janë marrë aty tregojnë për cënimin e transparencës dhe garës së barabartë.

Në një prej mbledhjeve të fundit, shtatë anëtarët e KED (nga 9-të që duhet të ketë ky institucion) kanë marrë vendimin për të ngritur një “dhomë këshillimi”, ku do të mblidhen pa praninë e vëzhguesve, për të diskutuar mbi anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë.

Ky vendim është në kundërshtim me nenin 149/d të Kushtetutës dhe nenet 217-242, ligji për Qeverisjen e Gjyqësorit, ku parashikohet prania e vëzhguesve në mbledhjet e KED.

Sipas Kushtetutës, KED i bën mbledhjet e mbyllura, por gjithnjë në prani të vëzhguesve, të cilët janë Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Kuvendit, përfaqësuesi i opozitës dhe përfaqësuesi i Presidentit. Këta përfaqësues kanë të drejtë të dëgjojnë diskutimet mbi emërimet e reja në drejtësi, por nuk kanë të drejtë të hyjnë në diskutime, përjashtim bën vetëm përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, i cili mund të shtrojë pyetje.

Por paralelisht me këtë rregullore të përgatitur me ndihmën e Euralius, KED miratoi së fundmi krijimin e “dhomës së këshillimit”, ku diskutimet e kandidaturave dhe përzgjedhja e dosjeve do të bëhet pa praninë e vëzhguesve dhe në fshehtësi të plotë.

Vendimi rrezikon cilësinë e drejtësisë së re që pretendohet të formohet, pasi Inspektori i Përgjithshëm i Drejtësisë, emri i të cilit do të përzgjidhet paraprakisht në “dhomën e këshillimit”, ka për detyrë të kontrollojë punën dhe veprimtarinë e çdo gjyqtari dhe çdo prokurori në Republikën e Shqipërisë. Ai do bëjë verifikimet, kontrollet dhe do paraqesë masat për secilin gjyqtar dhe prokuror. Gjithashtu, në bazë të propozimeve të tij do të shkarkohen apo promovohen të gjithë anëtarët e gjykatave dhe të prokurorisë.

Thënë shkurt, kandidatura dhe dosja e ‘gardianit të drejtësisë’ do të përzgjidhet në “dhomën e këshillimit”, pa praninë e vëzhguesve të institucioneve të tjera shtetërore.

Vendimet e KED kanë impakt thelbësor edhe në Gjykatën Kushtetuese. Për çdo vend bosh në këtë gjykatë, KED përzgjedh tre kandidatë duke i renditur ata njëri pas tjetrit. Emrat i dërgohen Kuvendit që duhet të zgjedhë me 84 vota anëtarin e ri të ‘Kushtetueses’, nëse në votim nuk sigurohen votat e nevojshme, atëhere anëtar i gjykatës bëhet automatikisht emri i renditur i pari në propozimin e KED. E njëjta procedurë ndiqet edhe për Inspektorin e Përgjithshëm.

Këshillimi i Emërimeve në Drejtësi

KED përbëhet nga nëntë anëtarë: dy nga Gjykata Kushtetuese; dy nga Gjykata e Apelit; një nga Gjykata e Lartë; një nga Gjykata Administrative; një nga Prokuroria e Përgjithshme; dy nga Prokuroria e Apelit.

Ndërkohë ky institucion ka në përbërje vetëm shtatë anëtare, pasi Gjykata e Apelit dhe Prokuroria e Apelit kanë përzgjedhur nga një kandidat dhe jo nga dy siç e kërkon rregullorja dhe ligji.

Një tjetër problematikë që paraqitet në KED është edhe fakti që kryetari Ardian Dvorani nuk është magjistrat. Sipas ligjit, çdo anëtar i këtij institucioni duhet të jetë magjistrat, çka nuk ndodh me Dvoranin, i zgjedhur nga Kuvendi. Ndonëse e ka kaluar procesin e vetting-ut, ndaj tij ka patur shumë kundërshti, kryesisht nga opozita që e akuzon për lidhje të forta me Partinë Socialiste në pushtet./ Politiko.al

Të fundit