Flash News


E SHPJEGUAR

U shmang vota e Këshillit Kombëtar, si e mori Alibeaj drejtimin e PD pas dorëheqjes së Bashës

U shmang vota e Këshillit Kombëtar, si e mori Alibeaj drejtimin e PD

Enkelejd Alibeaj është kryetari i ri i përkohshëm i Partisë Demokratike pas dorëheqjes së Lulzim Bashës pasditen e 21 marsit.

Pas këtij akti, sipas statutit të PD, nenit 46, drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri e merr njëri nga nënkryetarët e PD.

Ky nen përcakton se sekretari i Përgjithshëm duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar për të caktuar një nga nënkryetarët si kryetarin e ri të partisë. Kësisoj drejtimin e partisë e merrte Enkelejd Alibeaj ose nënkryetarja Jorida Tabaku.

Në një njoftim për mediat, Sekretari i Përgjithshëm Bardhi deklaronte se Tabaku ishte tërhequr nga synimi për të marrë kryesimin e PD-së pas dorëheqjes së Bashës, duke i dhënë shansin Alibeajt, por pa u mbledhur Këshilli Kombëtar. 

I pyetur nga mediat sot se pse u shmang vota e Këshillit Kombëtar, Alibeaj, ashtu edhe Bardhi iu shmangën pyetjes, teksa bënë thirrje për bashkim.

“Bashkimi bëhet fjalë për të gjithë demokratët, që ndjejnë sot peshën më të madhe”, tha Alibeaj.

“Partia bashkohet kur secili prej nesh kapërcejnë veten dhe mendojnë interesin e PD”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka duke komentuar emërimin e Enkelejd Alibeaj si kryetar i komanduar i PD nga Gazment Bardhi, e quajti një lëvizje të tillë qesharake, pasi sipas tij ata nuk kanë asnjë funksion në PD që pas Kuvendit të 11 dhjetorit.

Të fundit