Flash News

E-TJERA

Dosja e SPAK/ Pa pranga e pa kontroll: Si u arratis Altin Ndoci nga spitali, shkelje zinxhir në çdo hallkë

Dosja e SPAK/ Pa pranga e pa kontroll: Si u arratis Altin Ndoci nga spitali,

Arratia e Altin Ndocit, 38-vjeçarit të dyshuar nga SPAK si pjesë e organizatës kriminale të Çopjave dhe përfshirë në masakrën e Bradasheshit, ka ndodhur mes shkeljesh të rënda procedurale nga burgu i Durrësit deri në Spitalin Rajonal, sipas dosjes së SPAK.

Ndoci u transportua drejt spitalit me një ambulancë-furgon, së bashku me një tjetër të burgosur, nën shoqërimin e 5 policëve. Gjatë rrugës, duke u ankuar për dhimbje veshkash, iu hoqën prangat, ndërsa në spital u lejua të lëvizte lirshëm, në kundërshtim me rregulloren.

Në Infektiv, Ndoci qëndroi rreth 3 orë pa u vizituar nga mjekët, duke kërkuar disa herë të shkonte në tualet. Në tentativën e pestë, kur mbikëqyrja ishte dobësuar, goditi me grusht dy policë, njëri prej të cilëve u rrëzua edhe nga shkallët gjatë ndjekjes. Ndoci u largua nga oborri i spitalit, ku një polic qëlloi me armë jo në ajër, por në tokë, në kundërshtim me rregulloren, ndërsa i burgosuri u largua me një makinë që e priste jashtë.

Dosja zbardh se njoftimet zyrtare nuk u kryen në kohë, ndërsa tentativa për të kontaktuar sallën operative në numrin 129 mbeti pa përgjigje. Një punonjëse e burgut, e cila nuk njoftoi institucionet për shoqërimin në spital, u la në arrest shtëpie.

Prokuroria evidenton se Ndoci u dërgua në spital pa u vizituar nga mjekja e burgut, ndërsa leja u firmos mbi bazën e deklarimeve të kryeinfermierit. Pavarësisht se i dyshuar për vrasje, ai ishte vlerësuar nga komisioni i burgut si jo i rrezikshëm për arratisje.

Për ngjarjen janë marrë masa sigurie ndaj disa zyrtarëve: dy policë janë lënë në burg, disa të tjerë në detyrim paraqitje, ndërsa kryeinfermieri u la në arrest shtëpie. Edhe drejtori i burgut, i cili kishte miratuar lejen pa verifikime, është arrestuar.

Të fundit