Flash News

E-TJERA

Dyshime për dekonspirim? ‘Arratia’ e Ahmetajt vë në pikëpyetje rolin e policisë pas kërkesës së SPAK

Dyshime për dekonspirim? ‘Arratia’ e Ahmetajt vë në

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, për të cilin Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga parlamenti autorizimin për arrestimin e tij, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.

Sipas VOA, ai është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë, të premten paradite, pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit, shkresën për arrestimin.

Por largimi i Ahmetaj nga territori shqiptar, përmes pikës kufitare Kakavijë, ka vënë në pikëpyetje Policinë e Shtetit.

Sipas Ora Neës, struktura e policisë është njoftuar nga SPAK qysh prej ditës së premte për mbajtjen në monitorim dhe vëzhgim të pandërprerë të ish-zv. kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.

Por ky informacion i dërguar nga SPAK në Policinë e Shtetit, ka dyshime se është dekonspiruar duke i dhënë mundësi Arben Ahmetaj të largohej nga Shqipëria, pa i dhënë mundësi agjentëve ta mbanin në vëzhgim.

Ahmetaj po ditën e premte rezulton të ketë prerë online një biletë udhëtimi me avion nga Rinasi në drejtim të Italisë.

Por duket se një veprim i tillë është përdorur si truk për të hequr vëmendjen, pasi kjo biletë nuk është përdorur të premten nga Ahmetaj. Nga ana tjetër burime pranë SPAK, thanë për "Ora Neës", se nuk mund të vendosnin kufizim dhe urdhër ndalimi në sistemin kufitar TIMS, pasi një gjë e tillë është e paligjshme pa marrë lejen nga gjykata.

 Ende nuk dihet me saktësi ku ndodhet ish ministri, por burime të pakonfirmuara zyrtarisht, tregojnë se nga verifikimet e sinjalit të celularit të tij, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja.

Pse akuzohet?

Ish zëvendëskryeministri, akuzohet për korrupsion, mosdeklarim apo fshehje të pasurisë si dhe për pastrim parash. Ndërsa ka mohuar publikisht njohjet me dy sipërmarrësit kryesorë që përfituan kontratat koncensionare në Elbasan, Fier e Tiranë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, hetimet kanë zbuluar në të kundërtën lidhje të ngushta mes tyre, të shtrira ndër vite. Në të paktën 6 raste të cilat konsiderohen nga Prokuroria e Posaçme si akte korruptive, emrat e dy biznesmenëve rezultojnë të qëndrojnë pas blerjeve, nga ana e personave të tjera, të katër apartamenteve dhe dy garazheve, të shitura nga zoti Ahmetaj më një vlerë prej 440 mijë eurove.

Po ashtu mbi 30 mijë euro janë shpenzuar prej Zotos dhe Mërtirit për të financuar udhëtime apo qëndrime në hotele të shtrenjta, të ish zëvendëskryeministrit apo njerëzve të afërt me të. Në dosjen e Prokurorisë, janë zbardhur komunikimet përmes postës elektronike me hotele të shtrenjta, në qytete të ndryshme të Europës, për prenotimin e qëndrimit në to, të zotit Ahmetaj, apo dhe personave të tjerë të afërt me të. Datat për të cilat janë bërë rezervimet, koncidojnë me udhëtimet jashtë vendit të ish zëvendëskryeministrit dhe kthimin në atdhe.

Në mars të këtij viti Prokuroria sekuestroi dy vila, një në Hamallaj dhe një tjetër në bregdetit jugor, në Palasë, në një nga komplekest me të shtrenjta. E para ishte në emër të bashkëjetueses së zotit Ahmetaj, dhe sërish në prapaskenë, sipas prokurorisë, qëndron sipërmarrësi Zoto. Ndërsa vila tjetër në Palasë, figuron në emrin e një shoqeje të ish bashkëshortes së Ahmetaj, ndërsa porositësi fillestar rezulton sipërmarrësi Mond Bega. Prokuroria ka zbuluar faktet se si punimet për vilën ndiqeshin nga një studio e Interior design, me porosi të ish bashkëshortes, dhe se rasti konsiderohet si fshehje e pasurisë.

 

 

Të fundit