Flash News

E-TJERA

Ekzekutimi i Artur Tushit në Kolumbi, dyshime për lidhje me kartelin Sinaloa dhe “Los Choneros”

Ekzekutimi i Artur Tushit në Kolumbi, dyshime për lidhje me kartelin

44-vjeçari shqiptar Artur Tushi u ekzekutua në zonën El Poblado në jug të qytetit Medellín, në Kolumbi. Viktima ishte shtetas shqiptar, por mbante dokumente ekuadoriane.

Autori i vrasjes së tij është një shtetas 35-vjeçar nga Venezuela.

Autoritetet kolumbiane dyshojnë se Tushi kishte lidhje me rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas vrasjes së një personi të njohur si “El Ecuatoriano”, në një fermë në Rionegro. Ai ishte identifikuar si ndërlidhës ndërkombëtar i organizatës kriminale ekuadoriane “Los Choneros”, e cila ka lidhje me trafikun e kokainës dhe grupin “Clan del Golfo”.

Po ashtu, javën e kaluar u arrestua Rollando Federico Gómez Quinde, i njohur si “Fede”, i cilësuar nga autoritetet si udhëheqësi kryesor i Los Choneros, për të cilin ofrohej një shpërblim prej 1 milion dollarësh.

Sipas studiuesit Fernando Quijano, president i organizatës Corpades, këto struktura kriminale kanë lidhje direkte me Kartelin Sinaloa të Meksikës.

“Ato janë aleanca të Kartelit Sinaloa që punojnë për ta, duke futur sasi të mëdha ketamine, të cilën ne e quajmë ‘zhivë e kuqe’,” – tha Quijano.

Ai shtoi se rrjetet kriminale po kërkojnë të shtrihen drejt portit të ri të Antioquia-s, në Urabá, që pritet të hapet së shpejti, duke e cilësuar atë si “pikë strategjike për trafikun ndërkombëtar të drogës”.

Kryebashkiaku i Medellín-it, Federico Gutiérrez, pranoi se mafiat e huaja nga Azia, Italia, Amerika Qendrore dhe Meksika po veprojnë aktivisht në qytet, përfshirë trafikun e drogës, shfrytëzimin seksual dhe ekonomitë kriminale.

Një nga zonat më të goditura është Parque Lleras, një zonë turistike e njohur që vitet e fundit është kthyer në qendër të aktivitetit të organizatave kriminale, me rritje të dukshme të trafikut të drogës dhe krimeve ndaj turistëve.

Të fundit