Flash News

E-TJERA

Liria e shtypit/ KE kritika për Shqipërinë: Duhet përparim i prekshëm, ligji për median të përmbushë standardet e Komisionit të Venecias

Liria e shtypit/ KE kritika për Shqipërinë: Duhet përparim i

Këshilli Europian i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që projekt-amendamentet e ligjit për median t'i sjellë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, diçka që nuk ka arritur deri tani, raporton Euroactiv.

Të hënën, ministrat evropianë u takuan në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, ku miratuan njëzëri konkluzionet e Këshillit për zgjerimin. Ndër shqetësimet për migracionin dhe të drejtat e pronësisë, Këshilli i kërkoi Shqipërisë që "të rifillojë përpjekjet për të bërë përparim të prekshëm në lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve".

Kjo thirrje erdhi në të njëjtën ditë që një gazetare u sulmua në Tiranë, në një vit që ka patur zero ndjekje penale për krime ndaj punonjësve të medias. Për më tepër, Shqipëria vazhdoi të shënonte dobët, duke vazhduar një prirje rënëse në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij në vitin 2021 që kur kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet.

Ligji, aktualisht një votim parlamentar larg hyrjes në fuqi, do të sillte të gjitha mediat online nën kontrollin e një organi të emëruar nga parlamenti të kryesuar nga ish ndihmësi i Ramës për komunikim.

Komisionit të Venecias iu kërkua të rishikonte ligjin dhe nuk i mbajti kritikat.

Në projekt-opinionin e tij të datës 28 maj, Komisioni i konsideroi projekt-amendamentet “jo gati për miratim në formën e tyre aktuale”, duke shtuar se ligji “vuan nga paqartësia".

 Ata i kërkojnë qeverisë shqiptare të mbështesë ngritjen e një organi vetërregullues dhe se ata që mbikëqyrin ligjin duhet të jenë politikisht të pavarur.

Së fundi, Komisioni i Venecias rekomandon “rishqyrtimin e miratimit” të ligjit sepse “mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë për lirinë e shprehjes” në vend.

Amendamentet u miratuan nga mazhoranca socialiste një vit më parë dhe më pas u vënë veto nga presidenti. Ai mbetet në axhendën e parlamentit dhe mund të miratohet me shumicë të thjeshtë në çdo kohë.

Pavarësisht thirrjeve të mijëra gazetarëve, shumë organizatave gazetareske dhe anëtarëve të shoqërisë civile, Komisioni Evropian ka refuzuar të vendosë lënien e ligjit si kusht për të marrë pjesë në konferencën e parë ndërqeveritare që shënon fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimit në BE.

Të fundit