Flash News

Bota

Terrorizëm ndërkufitar? India dhe Pakistani vazhdojnë të këmbejnë zjarr në Kashmir

Terrorizëm ndërkufitar? India dhe Pakistani vazhdojnë të

Ushtarët e Indisë dhe Pakistanit kanë këmbyer zjarr në ditën e katërt me radhë në Kashmirin e kontestuar, tha ushtria e Nju Delhit më 28 prill. Nuk ka raportime për viktima dhe Islamabadi ende nuk ka konfirmuar ende lajmin për këmbimin e zjarrit. India e ka akuzuar Pakistanin se mbështet “terrorizimin ndërkufitar” pasi një sulmues i armatosur vrau 26 persona javën e kaluar, që ishte sulmi më i rëndë ndaj civilëve në Kashmirin – me shumicë myslimane – në çerekshekullin e fundit.

Islamabadi ka mohuar se ka pasur ndonjë rol, duke thënë se kjo ishte një përpjekje për ta lidhur Pakistanin me sulmin dhe duke u zotuar se do të përgjigjet ndaj veprimeve të Indisë.

“Gjatë natës midis 27 dhe 28 prillit... postet e ushtrisë pakistaneze nisën zjarr të paprovokuar përtej vijës së kontrollit”, tha ushtria indiane, duke iu referuar kufirit de facto në Kashmirin e kontestuar.

“Trupat indiane janë përgjigjur menjëherë dhe në mënyrë efektive”, u tha në deklaratë.

Pas sulmit të 22 prillit, Nju Delhi ndërmori disa hapa diplomatikë, duke tërhequr vizat për pakistanezët, duke pezulluar një marrëveshje për ndarjen e ujërave si dhe njoftoi për mbylljen e kufirit kryesor tokësor me Pakistanin.

Në përgjigje, Islamabadi urdhëroi dëbimin e diplomatëve dhe këshilltarëve ushtarakë indianë, anuloi vizat për shtetasit indianë dhe ndaloi avionët e Indisë që të përdornin hapësirën ajrore pakistaneze. Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve për “përmbajtje maksimale” në mënyrë që çështjet të “mund të zgjidhen në mënyrë paqësore përmes një angazhimi të ndërsjellë dhe konstruktiv”./ REL

Të fundit