Flash News

E-TJERA

Nga energjia te “tigrat”: A pranoi Dumani tërthorazi se kallëzimet ndaj Ballukut janë në hetim paraprak?

Nga energjia te “tigrat”: A pranoi Dumani tërthorazi se

Kreu i SPAK, Altin Dumani, është përballur në Kuvend me një sërë pyetjesh nga deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, lidhur me hetimet ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Gjatë seancës, Balliu renditi disa kallëzime penale të depozituara në SPAK ndaj Ballukut, që përfshijnë një sërë çështjesh të mëdha publike: nga shitblerja e energjisë, ndërtimi i parqeve fotovoltaike, rrugët dhe tuneli i Llogarasë, deri te termocentralet dhe anijet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.

"Në këtë vështrim, për zonjën Balluku ka disa kallëzime penale në SPAK që nga shitblerja e energjisë tek rrugët, tek ndërtimi i parqeve fotovoltaike, tek tuneli i Llogarasë, tek termocentralet, anijet “tigri 1” dhe “tigri 3”. A janë në hetim këto çështje, sa kohë duhet për t’i hetuar kur bëhet fjalë për miliona euro të shpërdoruar.

P.sh ju keni bërë një procedurë për ndërtimin e një parku fotovoltaik në godinën tuaj dhe i keni prokuruar me gjysmën e çmimit që i ka prokuruar zotit Balluku, kaq të vështirë  ka SPAK sa i duhen disa vite për t’i hetuar?

Psh çfarë vështirësie ka tek cështja e “tigrit 1” dhe “tigrit 3” kur vetë kompania raporton në SHBA se ka fituar një tender në Shqipëri ndërkohë që tenderi nuk është realizuar ende dhe procedura bëhet disa muaj pasi është deklaruar në Amerikë", tha Balliu.

Në përgjigjen e tij, kreu i SPAK nuk e mohoi ekzistencën e hetimeve, por u shpreh se nuk mund të japë informacion për çështje që ndodhen në fazën paraprake të procedimit penal.

"Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak s'mund të jap informacion lidhur me pyetjen e Balliut. Koha është e rëndësishme por ajo që prokurorët e posaçëm është respektimi i afateve të hetimit, është i detyruar dhe sa kohë çështjet janë brenda afateve, duhet të marrësh në konsideratë rëndësinë e cështjeve ngarkesën e prokurorëve, sa kohë janë brenda afateve, s’mund të them se janë zvarritur këto çështje", deklaroi Dumani.

Kjo deklaratë e Dumanit duket se konfirmon jo drejtpërdrejt, se kallëzimet ndaj Ballukut janë aktualisht në fazë hetimi paraprak, ndonëse pa dhënë detaje për përmbajtjen apo ecurinë e tyre.

Të fundit