Flash News


E-TJERA

Një vit pas denoncimit të PD për tenderin e ushqimeve, SPAK merr të pandehur 3 zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes  

Një vit pas denoncimit të PD për tenderin e ushqimeve, SPAK merr

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka marrë të pandehur tre zyrtarë të Ministrisë të Mbrojtjes.

Lëvizja e SPAK vjen rreth një vit pasi Partia Demokratike denoncoi kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes, asokohe Olta Xhaçka se dhanë një tender 1,5 milion euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit pa garë.

Zyrtarët e marrë nën hetim janë Ylli Imeri, Dafina Keca dhe Andrea Dapaj, të tre anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Ata dyshohet se kanë kryer shkelje të barazisë në tendera.

SPAK mori në pyetje edhe ministren Xhaçka, por nuk gjeti asnjë fakt se ajo ishte e implikuar gjithashtu.

PD kallëzoi në 5 prill të vitit të shkuar anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe shoqëritë “EUROVIA” shpk, dhe XPERT SYSTEMS sh.p.k.

Në kallëzimin e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi thuhej se, në dokumentet e tenderit mungonte argumentimi se përse janë ftuar kompanitë e shpallura fituese “EUROVIA” shpknj dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., në kushtet kur asnjëra prej tyre nuk ishte e specializuar në fushën e objektit të prokurimit.

 Këto dy kompani, sipas PD, kishin shtuar në objektin e veprimtarisë së tyre “tregtimin e ushqimeve”, vetëm disa ditë përpara se të shpallej tenderi.

Sipas PD, kompania që ishte shpallur fituese e tenderit për shpërndarjen e ushqimeve ishte përzgjedhur fituese pa garë dhe se nuk përmbushte kriterin ligjor të eksperiencës së ngjashme në fushën e furnizimit me produkte ushqimore  në 3 vitet e fundit.

 

Të fundit