Flash News

E-TJERA

Përplasja Sinaj - Nallbati, SPAK "rrëzon" socialistët: Nuk vërtetohet ekzistenca e veprës penale

Përplasja Sinaj - Nallbati, SPAK "rrëzon" socialistët:

Prokuroria e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj deputetit demokrat Bledion Nallbati dhe Vullnet Sinajt. Nallbati u kallëzua nga Partia Socialiste pas përplasjes që pati në Kuvend me Vullnet Sinajn.

SPAK argumenton se që një person të vendoset para përgjegjësisë penale, duhet të provohem disa elementë ligjorë. Në rastin konkret, SPAK deklaron se “nuk vërtetohet ekzistenca e faktit tipik, atij të goditjes për shkak të detyrës, qoftë nga ana e shtetasit Bledion Nallbati, apo qoftë nga ana e shtetasit Vullnet Sinaj”.

“Nga studimi dhe analizimi i dokumentacionit konkludojmë se, nuk evidentohen të dhëna për plotësimin në mënyrë kumulative të katër elementëve të figurës së veprës penale për të cilat pretendohet në secilin kallëzim dhe për këtë arsye nuk mund të vijohet me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.

Referuar për sa më sipër është e rëndësishme të theksojmë se për marrjen e një personi në përgjegjësi penale është e nevojshme që në veprimet ose mosveprimet e tij të ekzistojnë elementët e një figure të caktuar të veprës penale, të parashikuar nga ligji penal.

Respektimi dhe plotësimi i elementeve të figurës së veprës penale ka rëndësi të veçantë, sepse ka të bëjë me zbatimin e parimit të ligjshmërisë nëpërmjet të cilit, shoqëria si entitet, mbikëqyr anëtarët e saj përmes kontrollit ligjor të anëtarëve të shoqërisë. Për të pasur një figurë konkrete të veprës penale është e domosdoshme ekzistenca e të gjithë elementëve përbërës të saj, të marrë së bashku, të cilët janë: a) objekti i veprës penale; b) ana objektive; c) subjekti dhe ç) ana subjektive. Provueshmëria e elementëve objektive dhe subjektive të figurës së veprës penale. shërben si bazë për të vënë një person përpara përgjegjësisë penale. Nëse nuk ekziston apo nuk provohet qoftë edhe njëri prej këtyre elementëve ligjore, personi nuk mund të merret nën përgjegjësi penale dhe rrjedhimisht as edhe të dënohet. Nëse i referohemi nocionit të përgjithshëm të veprës penale, nën dritën e parashikimit në dispozitat e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal, vepra penale përbëhet nga këto elementë themelorë: Fakti tipik (neni 13 I K.Penal), kundërligjshmëria (neni 1, sipas të cilit ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve dhe neni 2, Mosëdënimi pa ligj) dhe faji (neni 14 i K.Penal).

Duke ju rikthyer çështjes, nuk vërtetohet ekzistenca e faktit tipik, atij të goditjes për shkak të detyrës, qoftë nga ana e shtetasit Bledion Nallbati, apo qoftë nga ana e shtetasit Vullnet Sinaj”, njofton SPAK.

Grupi i PS kallëzoi deputetin demokrat në SPAK me akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.

Të fundit