Flash News

KRYESORE

Gara për Aviacionin Civil, kandidati kryesor i përfshirë në skandalin që u mori jetën dy fëmijëve

Gara për Aviacionin Civil, kandidati kryesor i përfshirë në

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po bëhet gati për të zgjedhur kreun e ri të Autoritetit të Aviacionit Civil. Nga 12 kandidatë të paraqitur fillimisht në garë, janë kualifikuar vetëm tre për në fazën përfundimtare.

Tre kandidatët të vlerësuar me pikët më të larta dhe që plotësojnë kriteret e vendosura janë Krislen Keri, Feliks Baci dhe Arben Sula.

Të tre këta kandidatë janë të njohur për median shqiptare, për arsye të ndryshme, por vlen të veçohet rasti i Krislen Kerit, i cili është edhe kandidati që ka siguruar pikët më të larta, raporton Politiko.al.

I diplomuar në Universitetin Embry-Riddle Aeronautical dhe në Universitetin Oxford Brookes, Keri ka mbajtur më parë pozicionin e Drejtorit të Projekteve dhe PPP-ve në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe ka shërbyer si Këshilltar për Aviacionin i ish-ministrit Edmond Haxhinasto.

Babai i Krislen Kerit, Pilo Keri, ish-deputet i PS, ka në zotërim kompaninë “Pienvis”, e cila ka qenë përfituese e një tenderi 300 milionësh për mirëmbajtjen e aksit rrugor Plepa-Rrogozhinë, ku në maj të 2016-ës, dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç gjetën vdekjen pasi makina që drejtohej nga nëna e tyre doli nga rruga për shkak të mungesës së barrierave të sigurisë.

Barrierat nuk ishin vendosur pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative, për shkak të një karburanti aty pranë, që ishte gjithashtu pronë e familjes Keri.

Ndërkohë, djali i Pilo Kerit, ishte drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe në media u hodhën dyshime se kishte favorizuar kompanitë e babait në të dyja rastet.

E shpjeguar më thjeshtë: Krislen Keri ishte Drejtor i Projekteve në Ministrinë e Transportit, firma e babait të tij mori tenderin për mirëmbajtjen e rrugës Plepa-Rrogozhinë, babai i tij kishte një karburant në këtë rrugë dhe pranë karburantit nuk ishin vendosur barriera mbrojtëse nga kompania me të njëjtin pronar, në vendin ku mungonin barrierat mbrojtëse gjetën vdekjen dy fëmijë dhe mbetën të plagosur nëna dhe fëmija 1 vjeç. Sot, Krislen Keri është kandidati kryesor për kreun e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Për ngjarjen e tmerrshme u arrestuan një vit më parë dy drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bib Gjomakaj dhe Lek Tushaj, por më pas procesi ndaj tyre u zhvillua në gjendje të lirë.

Dy kandidatët e tjerë për Aviacionin Civil

Feliks Baci: Karriera e tij nis në vitin 1983, kur deri në vitin 1991 ka mbajtur postin e përgjegjësit për Marrëveshjet dhe Çështjet e Shërbimit Ajror në Ministrinë e Transportit. Prej vitit 2005, Feliks Baci ka shërbyer si zëvendësdrejtor në Autoritetin e Aviacionit Civil, duke mbajtur për një periudhë të shkurtër edhe pozicionin e drejtorit.

Arben Sula: Ka qenë prezent që në fillesat e Drejtorisë së Aviacionit Civil, në vitin 1991, duke u zgjedhur nga radhët e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror. Ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Trafikut Ajror dhe drejtorin e Divizionit teknik pranë “Albcontrol”./Politiko.al

Të fundit