Flash News

OP-ED

Gjermanët, që na mbrojnë duke na turpëruar

Gjermanët, që na mbrojnë duke na turpëruar

Alfred Lela

Një shkrim i tabloidit gjerman Bild, gazeta që shet më shumë se 1.5 milion kopje në Gjermani, i ka dhënë një goditje të pamëshirshme kryeministrit Rama. Bild nuk është e para që shkruan për Shqipërinë, në një formë ku tehu kritik është i pranishëm dhe pret venat e një qeverie, e cila është ndërkohë duke rrjedhur gjak politik nga skandalet dhe pamundësia e qeverisjes.

Që nga publiket DË dhe ARD, komercialet e mëdha dhe prestigjioze, dhe deri te tabloidi Bild, mediat gjermane kanë risjellë në Shqipëri, me paketim teuton, atë që këtu shpërfillej, apo mosbesohej, për shumë arsye. Së pari, për shkak të propagandës zyrtare që zotëron kanalet e shumta të komunikimit dhe bën çmos të bllokojë më të voglat. Çka bën që mesazhi kritik të qarkullojë, por të mbytet nga zhurma. Ka edhe një rast më fatlig, që e banalizon të keqen, dhe kjo vjen prej të mësuarit me të apo dhe të dorëzuarit para saj.

Së dyti, Shqipëria i ka krijuar vetes, me 'nismën' e saj, shtysën e qeverisë dhe të pamundësive, një valvul shkarkimi që është emigracioni. Qindra mijra shqiptarë i janë drejtuar Gjermanisë, Britanisë, Kanadasë dhe Amerikës, duke përdorur forma të larmishme të 'vetëvendosjes' që nga azili politik, te ilegaliteti apo Lotaria e programe të tjera zyrtare të emigracionit.

Para pak ditësh një mik amerikan më dërgonte një shkrim të Frank Ëisner, ish-ambasador, për Ballkanin ku Shqipëria nuk përmendej asnjëherë. Ia thashë këtë dhe replika që mora ishte tronditëse: -nuk e ka kush mendjen te Shqipëria në Ëashington; -gjatë tranzicionit nga Shqipëri kanë ikur po aq shqiptarë sa ç'jetojnë aktualisht brenda Shqipërisë; -PBB (prodhimi i brendshëm bruto) i Shqipërisë është më i vogël se i Kamboxhias.

Vëmendja gjermane, rrjedhimisht, do të thotë diçka për shqiptarët, edhe në rastin jo të mirë kur është vëmendje negative. Me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë, Shqipëria e ka humbur vëmendjen amerikane dhe aksi i politikës së jashtme të Tiranës ka qenë i drejtuar kah Turqia; edhe sipas shijes së kryeministrit Rama.

Burokracia teknokrate e Bashkimit Europian i ka mbyllur të dy sytë para ekzistencës, si të opozitës ashtu dhe të atij që mund të quhet 'opinion publik' në Tiranë, duke i konsideruar ata si zëdhënës të opozitës politike. Ambasada amerikane shpërfill çdo gjë që del jashtë interesit të Reformës në Drejtësi, shtoji kësaj edhe kaosin në Departamentin e Shtetit, që pasqyron natyrën tekanjoze të Trump.

Në këtë çoroditje, ata që nuk besojnë të qeveria dhe Rama, që janë skeptikë me burokracinë e BE, që janë opozitarë, por do të donin një opozitë politike më të shkoqur, kërkojnë një qendër graviteti. E cila ka qëlluar të jetë Berlini. "Ka qëlluar' sepse nuk se ka patur një 'qëllim të drejtpërdrejtë' gjerman ndaj zhvillimeve të brendshme në Shqipëri. Nëse i referohemi një interviste për Politiko të Bodo Ëeber ka qenë vetë kryeministri Rama që e ka kthyer mbështetësen e vetme të qeverisë shqiptare, Gjermaninë, kundër. Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë i drejtuar deri në prill prej Ëalter Glos, ka qenë gjithashtu instrumental në përçimin e sinjalit drejt zyrave në Berlin, dhe gjithashtu grupi Kristian- Demokrat në Bundestagun gjerman, i cili nuk i ka mbyllur dot sytë para faktit se PD-në e ka simotër në Partitë Popullore Europiane.

Shkrimi i Bild e ka përmbyllur gjithë këtë me një potencë vagneriane. Asgjë nuk bie më shumë në sy aty se sa përmendja direkt e kryeministrit Rama. Gjermanët, sado Bild të konsiderohet 'tabloid', apo sado t'i mvishet parave të opozitës ai shkrim, nuk janë njerëz që e prodhojnë lehtë një sentiment dhe një akuzë apo përkëdhelje që rrjedh prej tij.

Qeveria, edhe njëherë si çdo herë, po mundohet ta përballë shkrimin e Bild me operacionalitetin e vendimit të parlametit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë: si një problem të dikujt tjetër. Mund të jetë kështu, por problemi i qeverisë, mbetet gjithsesi.

Dhe, kur një qeveri është problemi, ajo është sidomos problem i popullit të saj. I cili ose duhet të vazhdojë të shtojë numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë ose duhet të ndërrojë qeverinë.

Vëmendja gjermane është një kujdes dhe një këmbanë.

Të fundit