Flash News

Kosova

Kurti: Nuk shohim mundësi për koalicione paszgjedhore, synojmë gjysmë milioni vota

Kurti: Nuk shohim mundësi për koalicione paszgjedhore, synojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur së fundmi për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke përjashtuar mundësinë e koalicioneve paszgjedhore. Në një deklaratë publike, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është e fokusuar në koalicionet parazgjedhore, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm me partinë Guxo dhe partinë Alternativa, të cilat, sipas tij, kanë sjellë një bashkëqeverisje të suksesshme gjatë këtyre katër viteve.


“Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, si PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë treguar reforma në këto katër vite. Për më tepër, sulmet ndaj nesh dhe qeverisjes sonë të mirë e demokratike nuk na lënë hapësirë për koalicione në mandatin tjetër. Përveç kësaj, koalicioni nuk do të jetë as i nevojshëm,” u shpreh Kurti.


Kryeministri tha se beson në një rezultat të suksesshëm për Lëvizjen Vetëvendosje, duke synuar të arrijë gjysmë milioni vota në zgjedhjet e ardhshme, një rritje krahasuar me rezultatin e vitit 2021, kur partia mori 438 mijë vota.


“Jemi të lumtur që kemi arritur stabilitet institucional dhe jemi qeveria e parë që e përfundon mandatin katërvjeçar në Kosovë. Kjo është një arritje e madhe që shpresojmë të shërbejë si model për stabilitetin institucional në të ardhmen,” shtoi Kurti.


Zgjedhjet e 9 shkurtit pritet të jenë një moment i rëndësishëm për të ardhmen politike të Kosovës, ndërsa Kurti shpreh optimizëm për një mandat të ri dhe të fuqishëm për Vetëvendosjen.

Të fundit