Flash News

Kosova

Tensionet Kosovë-Serbi, Kurti: Ideja për shkëmbimin e territoreve nuk ka vdekur, formulë për luftë

Tensionet Kosovë-Serbi, Kurti: Ideja për shkëmbimin e territoreve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth marrëdhënieve me Serbinë dhe tensioneve të fundit në veri, ku serbët vendosën barrikada për të bllokuar lëvizjen në pikat kufitare.

Në një intervistë për Al Jazeera, Kurti ka thënë se president serb Aleksandër Vuçiç ka nostalgji për kohët e luftës. Teksa foli për shkëmbimin e territoreve, kryeministri i Kosovës pohoi se projekti ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur.

Lidhur me tensionet në veri, Kurti u shpreh se ndodhin për shkak se Kosova është një vend demokratik, ndërsa Serbia regjim autokratik i lidhur me Kremlinin.

“Jam shumë i sigurt se presidenti i Serbisë është nostalgjik për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por, përsëri, ideja s’ka vdekur. Nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilën mund të kemi progres. Shkëmbimi nuk do të ndodh. Shkëmbimi është një formulë për luftë. Kurrë nuk mund të kesh kufi perfekt etnik.

Gjithmonë do të ketë njerëz që do të ndjehen që janë në anën e gabuar. Ajo që kemi nevojë është republikat të kenë marrëdhënie normale. Demokracitë nuk luftojnë me njëra-tjetrën. Tensionet që i kemi me Serbinë janë sepse ne jemi vend demokratik dhe ata janë regjim autokratik me lidhje të afërta me Kremlinin”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për barrikadat, duke thënë se kriza e krijuar nuk ka përfunduar ende.

“Kriza nuk ka përfunduar ende sepse Kosova dhe Serbia kanë raporte jonormale. Ne kemi nevojë për një marrëveshje për normalizimin e plotë të raporteve, në qendër njohjen reciproke”, theksoi ai, duke shtuar se strukturat ilegale janë kthyer së fundi në grupe kriminale dhe kanë ngritur 16 barrikada gjatë dhjetorit.

Kurti ka mohuar t’i ketë dhënë garanci Beogradit për mosarrestimin e kriminelëve që janë në listën e zezë të SHBA-së.

“Natyrisht, jo. Garancia e vetme si qeveria demokratike është barazia për të gjithë, kushtetutshmëria nëpër të gjitha komunat e Kosovës, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale…Nuk mund të jap garanci për kriminelët që janë të listat e zeza të ShBA-së”, u shpreh Kurti.

Të fundit