Flash News

KRYESORE

Nga disbalancat fetare te ndërhyrjet e huaja, akademiku Meta në Politiko: Ja pasojat që mund të sjellë krijimi i shtetit bektashi

Nga disbalancat fetare te ndërhyrjet e huaja, akademiku Meta në

Që prej fundjavës, opinioni publik po 'gëlon' pas shkrimit fillimisht të gazetës amerikane “Neë York Times” ku kryeministri  Edi Rama deklaroi se brenda territorit të Tiranës do të krijohet një shtet, një enklavë e stilit të Vatikanit që do të qeveriset nga bektashinjtë dhe do të drejtohet nga kleriku Baba Mondi. 

Nismën, Rama e deklaroi publikisht edhe në fjalën e tij në takimin “Samiti i të ardhmes”, i mbajtur në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. 

Edhe pse ka pak detaje të njohura nga projekti, të shumtë janë zërat kundër në rang specialistësh. Historiani dhe akademiku i njohur Beqir Meta në një intervistë në Politiko e ka cilësuar një befasi dhe një veprim të gabuar idenë e krijimit të një shteti bektashi brenda territorit shqiptar.

 Sipas tij, kjo nismë krijon pasoja të rënda për vendin si disbalanca fetare apo ndërhyrje të huaja, të luftuara ndër vite nga paraardhësit tanë. 

Ai sqaron se propozimi në fjalë nuk ka asnjë ngjashmëri me Vatikanin, sepse as Shqipëria nuk është e ngjashme me Italinë. 

Intervista: 

Kryeministri Edi Rama ka hedhur së fundmi idenë për të ndërtuar “Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi” në Tiranë, propozim ky që ka ndezur jo pak debat. Si e komentoni këtë nismë të kryeministrit dhe çfarë impakti mund të sjellë?

Së pari, për mua ka qene një befasi dhe veprim i gabuar që mund të ketë pasoja. Kjo është një çështje që nuk mund ta vendosë një kryeministër, apo duke bërë deklaratë në OKB. Nisma të tilla duhen diskutuar në grupe pune, në institucione shkencore, në komisione parlamentare etj,.
Ky është një veprim autoritarist edhe nga mënyra se si është trajtuar.
Së dyti, nisma është e dëmshme për vendin, pavarësisht se thuhet po kryhet në emër tolerancës fetare. Për mendimin tim krijon disbalanca në komunitet fetare dhe hap shtigje për përplasje mes tyre. Ne jemi shtet i ndarë nga fetë.
E treta, dhe më e rëndësishme, propozimi bie ndesh me përvojën e shtet-formimit tonë sepse ndër vite është bërë përpjekje e madhe nga patriotetët për ta ndarë ndarë fenë nga shteti dhe kjo ka qenë betejë e gjatë bashkë me forcat e huaja, duke ndërhyrë për konsolidimin e shtetit.

Kjo ka ndodhur që nga themellimi i shtetit nga Ismail Qemali, Ahmet Zogu e në vijim.
Mjafton të shikoni në NYT, duke na etiketuar me një shtet islamik në kryeqytetin shqiptar kuptohet sa e rende është për imazhin e vendit.
Kio mund të nxisë faktorë të jashtëm për të bërë ndërhyjet e tyre. Kujtojmë rastin kur italianët u përpoqën në vitet ‘20-‘30 për të ndërtuar një kishë uniate në vend , por shteti asokohe e mënjanoi me sakrifica.
Ka pasë përpjekje per të ndarë në kolegje të vecanta zgjedhore fetë ortodokse, katolike etj, por kjo e bënte vendin një shtet mbi baza fetare që shkatërron unitetin e tij dhe tërhiqte ndërhyrjen e huaj.
Ne si historianë, përfshirë dhe mua, kemi bërë studime për këtë dhe është përcaktuar se cfarë ka qenë e dëmshme për shtetin shqiptar.

Kur thoni 'ndërhyrjet e huaja', për çfarë rreziqesh e keni fjalën konkretisht?

Duke iu referuar balancave, kjo i hap rrugë grindjeve dhe mundësive të shumta për ndërhyje të huaj. Ne kemi ndërhyrje të huaja, por shteti nuk e ka eliminuar plotësisht. Kjo është si të ngacmosh gjarprin.
Pra, e gjykoj veprim të gabuar, sepse vendi s’ka nevojë për këtë lëvizje, cilido qofte motivi i propozuesit sepse shkon në kundërshtim me përvojën që ka vuajtur vendi nga përpjekje të huaja për të krijuar ndasi dhe përcarje, por atëherë vendi ynë i ka tejkaluar me zotësinë e politikanëve shqiptare.

Ky propozim është krahasuar me rastin e Vatikanit në shtetin fqinj, a shikoni ngjashmëri?

Rasti nuk ka ngjashmëri me Vatikanin, sepse as Shqipëria nuk është e ngjashme me Italinë, as kryegjyshata.
Nuk ka ngjashmëri as nga sensi juridik, apo historik, as terreni që vepron. Madje, mund të sqarojmë se italia është shtet laik si ne, por dominon feja katolike. Kurse Shqipëria ka katër besime të ndryshme. /S.Gj

 

Të fundit