Flash News

KRYESORE

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri, ekspertët flasin në Politiko

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri,

Procesi i primareve i zhvilluar për herë të parë në vend nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha është cilësuar si ngjarja e vitit 2022.

Personazhe të njohur publikë kanë shpjeguar në Politiko.al ka se cilat kanë qenë ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri në këndvështrimin e tyre.

Ata kanë veçuar primaret, të cilat përcaktuan kandidatët e opozitës për zgjedhjet lokale në 2023, incidenti në protestën e 6 dhjetorit, ku kryedemokrati Sali Berisha u sulmua fizikisht nga Gerti Shehu, por edhe politikat e qeverisë që sipas tyre po çojnë vendin drejt shpopullimit, kryesisht nga të rinjtë.

Le të ndalemi më gjerësisht te opinionet e secilit prej tyre: 

Elda Hoti, deputete e PD: Keqbërja e politikës ajo po shkatërron fatin e të rinjve

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri,

Viti 2022, nuk ishte aspak i lehtë për të mos shënuar ngjarje në historinë politike të vendit. Nisur nga ato të politikës së brendshme mes partive politike, por padyshim edhe më i fortë ishte efekti që dha kjo natyrë politikbërje te qytetarët Shqiptar. Lëvizjet masive, emigrimi në formë ilegale dhe aq më tepër jehona e ngritur në mediat ndërkombëtare është dhe do të mbetet gjatë në këndvështrimin tim, kryefjala e ngjarjeve përgjatë gjithë vitit.

Nuk e sfumon dot këtë imazh të keq të ndërtuar për Shqipërinë asnjë përpjekje politike e qeverisë për të sponsorizuar artikuj turistik në gazetat Europiane.

“Shqiptarët Kriminel” kështu siç e hapte artikullin një media Britanike, të damkos emrin, të trishton fakti që keqqeverisja ka degraduar në këtë pikë perspektivën e një populli të tërë.

Ndryshe nga shumë të tjerë, unë zgjedhë të ngre në piedestal rëndësinë që ka qytetari shqiptar. Nisur nga sa kam referuar më sipër, padyshim një pasqyrim i këtij realiteti vrastar për të rinjtë tanë, merr vëmendjen kryesore dhe e rendis si fakt shënjues negativ në vitin 2022.

Ende sot, në mbyllje të këtij viti familjet Shqiptare do të festojnë të ndara. Të ndara sepse lumturia e tyre( fëmijët) ndodhen në emigrim, ashtu siç ky fenomen po kthehet në numrin më të lartë të tyre dhe më trendi aktual.  Këtij fakti i shtohet edhe largimi i individëve të cilësuar si ajka e vendit… si të mos cilësohet kjo një ngjarje që shenjon vitin?

Andaj, politikën e gjejmë aktuale sot në shprehjen nëse s’merresh me politikë, është politika ajo që merret me ty. Ndërsa në vendin tonë, është keqbërja e politikës ajo që po shkatërron fatin e të rinjve…

Fatjona Dhimitri, ish-deputete e PD: Institucionet në paligjshmëri, zgjidhja është kthimi tek vota

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri,

Për të bërë bilancin e një qeverisje, cdo shtet i referohet shpenzimeve buxhetore dhe rezultateve të tyre të cilat lejojnë të parashikojnë ecurinë e vitit të ardhshëm.

Ndërkohë në Shqipëri, bilanci vjetor nuk bëhet nëpërmjet buxhetit, por duhet t’i referohemi ndodhive të njëpasnjëshme të një qeverisje e cila nuk ka aspak në vëmendje qytetarin.

Treguesit e raporteve ndërkombëtare, si ai i "Doing business", i FMN, i World Bank, i Komisionit Europian e të tjerë janë me të vërtetë tronditëse. Emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre raporteve është korrupsioni galopant madje në nivele të larta, element ky që bën të mendosh se korrupsioni nuk vjen për shkak të një mungese kontrolli, por ai është qëllimor.

Me 6 dhjetor të këtij viti u mbajt në Tiranë Summit-i i BE- vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një kontekst tjetër do të ishte një vlerë e jashtëzakonshme sepse do të parashikoheshin ecuri të padiskutueshme.

Në fakt, Summit-i i errësuar nga një ndodhi e cila ishte e paprecedentë në Shqipëri. Incidenti i bulevardit me Drejtuesin e PD, ngjarje që errësoi pikërisht një ndër paragrafët kryesor të përfundimeve të Summitit.

Do të rendis disa nga problematikat me pasoja dramatike: Inceneratorët, trafiku i drogës, taksat indirekte si e-albania, investitorët strategjik, PPP, koncesionet, rrugët që nuk mbarojnë kurrë, pasaportat e arta, fondet e tërmetit etj etj.

Të gjithë jemi dëshmitar edhe në momentet e fundit të këtij viti, kur Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara mbikqyri përzgjedhjen e kryetarit të ri të SPAK. Kjo është një shenjë e qartë mosbesimi nga organizmat ndërkombëtar për mosndërhyrje nga qeveria në pushtet e tjera. Kjo është evidenca e konstatimit të Summit-it ku shpreh shqetësimin ndarjen e pushtetit.

Po ku e ka zanafillën kjo problematikë? Vota është e shenjtë dhe cdo votë e blerë është një mungesë përgjegjësie e secilit prej nesh. Duhet të ngrejmë zërin për të lartësuar institucionin e votës në olimpin e demokracisë.

Nuk ka demokraci pa votë të lirë. Mungesa e votës së lirë sjellë blerjen e saj, sjell varfërinë tonë, kokëuljen e çdo qytetari dhe lejimin e qeverisjes të veprojë lirshëm, pa kërkesë llogarie dhe krejtësisht jashte ligjit.

Siç u përmend edhe më lart janë disa nga problematikat shqetësuese në këtë vënd dhe rënditja e tyre mendoj se është e pavlerë, në qoftë se me ndodhinë e parë nuk lëvizin mekanizmat ligjor dhe institucional për të sjellë situatën në normalitet. Kuvendi është institucioni kryesor, prokuroria, gjykatat, avokati i popullit por edhe njerëzit e thjeshtë duhet të kërkojnë llogari për çdo qindarkë dhe mos të rrijnë preh e shprehjes se "kështu ndodh në gjithë botën".

Aktualisht po shohim çdo ditë se si struktura të huaja po ndërhyjnë në sistemet tona të sigurisë. Sa i madh është ky skandal? Një shtet që nuk është në gjendje të sigurojë të dhënat e tij përsonale, sekretet shtetërore e të dhëna të ndjeshme, nuk mund të quhet më shtet. Prandaj mendoj se zgjidhja e menjëhershme është kthimi tek vota. Të gjitha institucionet janë në paligjshmëri pa asnjë përjashtim.

Dhuna që shteti ushtron ndaj qytetarëve është krejtësisht disproporcionale. Kjo ka sjellë si pasojë, largimin e shqiptarëve nëpër botë për një jetë më të mirë.

Përsa i përket opozitës, ajo duhet të ofrojë një alternativë të qartë. Sot partitë politike opozitare janë në një udhëkryq. Urtësia dhe mençuria duhet të udhëheq këto alternativa. Diskutimet dhe jo konfliktet duhet të jenë në tavolinën e bisedimeve. Është urgjente dhe imperative që një bashkim të forcave politike të japin alternativen e qeverisjes. Janë akte të shëmtuara grindjet brenda një partie e cila është e bazuar në vlerat perëndimore. Prandaj shpresojmë që zgjidhja të vijë sa më parë dhe vendi të marrë drejtimin perëndimor të tij.

Një element tjetër në një sistem demokratik është edhe media.

Disa linja editoriale janë të orientuara politikisht sipas interesave të pronarëve të grupeve mediatike.  Ajo që më shqetëson është mungesa e kërkimit të së vërtetës. Shembujt janë të panumërt andaj mungesa e shprehjes së të vërtetës është në dëm edhe të vetë përsonave apo institucioneve që e fshehin atë. Prandaj duhet urgjentisht pavarësia e medias dhe rritje e profesionalizmit!

Genc Deromemaj, anëtar i Kryesisë së PD: Shpopullimi i vendit, rreziku më i madh

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri,

Sinqerisht që më vjen keq kur e pohoj, por edhe në vitin 2022 vazhdoi rënia e lirë e treguesve të të gjithë sektorëve që kanë ndikim në jetën e përditshme të shqiptarëve. Personalisht, ashtu si shumica e shqiptarëve, nuk e dëshiroj një rënie të tillë, sepse kam vendosur të jetoj këtu e të zhvilloj biznesin tim. Por, fatkeqësisht, një pakicë prej disa vitesh e ka marrë peng vendin dhe po keqpërdor çdo pasuri që ka krijuar ky vend. Tashmë nuk është më vetëm opozita që ka ngritur dhe vazhdon të ngre alarmin e të akuzojë pakicën qeverisëse për situatën e krijuar, por edhe pjesa më e madhe e organizmave ndërkombëtar. Realiteti është në çdo cep të Shqipërisë dhe nuk ka se si të mbulohet më prej propagandës së pakicës. Shumica absolute e shqiptarëve janë duke përjetuar krizën më të madhe ekonomike që ua ka shkaktuar pikërisht pakica qeverisëse, e cila përgjegjësinë për paaftësinë e saj kërkon t’ia ngarkojë si alibi pandemisë, luftës në Ukrainë apo armiqve të brendshëm e të jashtëm që shpik sa herë që kërkon t’i largohet përgjegjësinë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu si edhe opozita ka ngritur alarmin e kuq për rrezikshmërinë e madhe që paraqesin kontratat koncesionare në ekonominë e brishtë, “Freedom House” ka dhënë një tjetër alarm përsa i përket faktit se Shqipëria vazhdon të jetë një regjim hybrid, me një demokraci të brishtë, ku jo vetëm nuk ka asnjë ndryshim nga viti i kaluar, por shënon edhe rënie në kriteret ku mbështetet përgatitja e raportit të kësaj organizate.

Ndërkohë edhe Parlamenti Evropian bashkë me hapjen e negociatave ka evidentuar problematikën që ekziston në sistemin e drejtësisë së kapur nga pakica qeverisëse, pandëshkueshmërinë, nivelin e ulët të demokracisë në vend, mungesën e zbatimit të ligjeve njëlloj e të barabarta për të gjithë dhe nivelin e ulët të ekonomisë shqiptare, e cila është më e varfëra në rajon.

Por, rreziku më i madh, alarmi më i madh, është Shpopullimi i Shqipërisë. Dhe kjo është e dhimbshme. Dhe këtë nuk e thotë opozita për të bërë thjesht politikë e as nuk e shpik ajo, por e thonë pamjet që shohim përditë nga pikat kufitare, e thonë vetë shifrat e INSTAT. Popullsia e vendit ka pësuar rënie në shifra të frikshme dhe më e frikshme akoma është mungesa totale, e qëllimshme e reagimit të pakicës qeverisëse. Dhe më e frikshme akoma është ikja e të rinjve, ikja e grupmoshës më aktive të shpirtit dhe zemrës së këtij populli, këtij kombi. Më e frikshme akoma është edhe plakja e popullsisë që jeton në vend. Na i kalon vetëm Moldavia. Shtesa natyrore e popullisisë është gati zero në këto vitet e fundit, si pasojë e rënies së numrit të lindjeve dhe rritjes së vdekjeve. Këtë e deklarojnë edhe Kombet e Bashkuara, të cilat e rendisin Shqipërinë në 10 vendet e para në Botë për shpopullimin. Sepse shqiptarët po ikin për shkak të varfërisë, korrupsionit, abuzimeve qeveritare, krimit të rrugës e me kollaro, mungesën e punës, mjerimit, çmimeve që rriten përditë e nuk ndërhyn askush për t’i mbajtur në kontroll e ndëshkuar abuzuesit, pagave më të ulta e poshtëruese në Evropë.

Për të gjitha këto e të tjera, opozita e ka thënë e do ta thotë fjalën e vet, denoncimet e veta. Ka organizuar e do të organizojë protesta në mbështetje të qytetarëve dhe do t’i rikthejë vendit në radhë të parë Shqiptarët e larguar e në vazhdim ekonominë e zhvillimin.

Genti Çela: 4 dhjetori dhe sulmi ndaj Berishës

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri,

Dy ngjarjet që shënjuan politikisht vitin 2022 ndodhën në muajin e fundit të vitit.

4 Dhjetor - ishte zhvillimi i Primareve të para në Partinë Demokratike dhe në Shqipëri. Anëtarët dhe simpatizantët zgjodhën me votë kandidatët për qytetarë të parë të qyteteve. Larg konjukturave, klaneve apo idesë mbi hatërmbetje e hatërmbajtje mbi emra të përveçëm.

Anëtarët dhe simpatizantët e PD zgjodhën me votë kandidatët e ardhshëm, dalë nga një proces i cili do të lejë gjurmë në përzgjedhjen e përfaqësuesve të shqiptarëve.

Dy ditë më pas, goditja ndaj liderit të opozitës z.Berisha, ishte akti ku rescpublica jonë zezoi e gjitha teksa pak metër më tutje, lider të Europës bujtën në Tiranë duke shtrënguar duart me dorën që gjuajti mbi ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Vijimi i normal i protestës nga z.Berisha, fillti pas atentatit, konferenca e mëpastajme edhe pse me shenjat e dukshme, ishin mesazhi i duhur se koha për të qëndruar në këmbë e përballë mafias, është sot, pa asnjë dyshim, më shumë se asnjëherë. Koha kur duhet të këngëzojë etja për liri.

Andi Mustafaj, analist: Dy arsye pse Primaret shënjuan vitin politik në 2022

Ngjarjet që përcaktuan vitin politik në Shqipëri,

Ngjarja që ka përcaktuar më shumë vitin politik në vendin tonë ka qenë mbajtja sistemit të primareve për të zgjedhur kandidatët për kryetar bashkie të opozitës. Arsyeja e parë është sepse u mbajt një premtim bërë në zanafillën e lëvizjes së foltores duke treguar kështu që në politikë mbahen premtime kundrejt asaj që mendohet shpesh. Arsyeja e dytë është sepse në këtë mënyrë i jepet votuesit një rëndësi të re dhe të paparë në vendin tonë, e cila duhet te rrisë ndërgjegjen e tij për rolin që duhet të luaj në vend.

Hapja e votës më gjerë se militantët ishte gjithashtu diçka pozitive. Shumë njerëz ishin kundër në fillim për shkak të frikës ndaj manipulimeve por në politikë nuk ecet me frikë, por me bindje. Hapja e votës mundëson thithjen e kontributeve më gjerë se rrethi i militanteve.

Ky proces i dha gjithashtu mundësi shumë njerëzve të provojnë garën elektorale. Në këtë mënyrë gjallërohet jeta politike dhe hapen rrugët që çdokush të testojë veten në një garë dhe përpara elektoratit.

Sigurisht, procesi nuk ishte perfekt dhe ka shume gjera për tu përmirësuar, por unë besoj vërtet se ishte një herë e parë shumë premtuese. Tani duhet të mësojmë dhe ta përmirësojmë për herët e tjera.

Ky proces mundëson gjithashtu nisjen ose ushqimin e dinamikave pozitive te opozitës, pasi lëvizja krijon gjithmonë energji dhe kjo është për tu përgëzuar.

 

Të fundit