Flash News

E-TJERA

Sot heshtje zgjedhore, nesër Shqipëria drejt kutive të votimit. Për herë të parë edhe diaspora

Sot heshtje zgjedhore, nesër Shqipëria drejt kutive të votimit.

Një muaj pas fushatës elektorale, Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore.

Sakaq, nesër qytetarët do t'u drejtohen kutive të votimit për të vendosur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme.

Sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në nenin 77, përcaktohet periudha e heshtjes zgjedhore dhe kufizimet që lidhen me të.

Sipas këtij neni, dita para datës së zgjedhjeve dhe dita e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe, ndalohet çdo aktivitet fushate zgjedhore, përfshirë zhvillimin e mitingjeve, aktiviteteve të tjera zgjedhore dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore.

Për ata që shkelin këtë dispozitë, Kodi Zgjedhor parashikon sanksione financiare. Në nenin 174, përcaktohet se subjektet zgjedhore që thyejnë heshtjen zgjedhore mund të gjobiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me një shumë prej 500,000 lekësh. Po ashtu, media që shkel këtë rregull mund të gjobitet me një shumë prej 2,000,000 lekësh.

Këto masa synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm, duke garantuar që zgjedhësit të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre pa ndikime të jashtme në periudhën e heshtjes zgjedhore.

Brenda dhe jashtë Shqipërisë në zgjedhjet e 11 majit 2025 të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713.761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114.642 votojnë për herë të parë.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë. Në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.

Për herë të parë në këto zgjedhje voton edhe diaspora.

Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun, ku ai banonte në Shqipëri.

Në garë më 11 maj janë 11 parti politike:
1. -Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
2. Partia Lëvizja Bashkë
3. Lëvizja Atdheu
4. Koalicioni Euroatlantik
5. Partia Socialiste
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
8. Aleanca Demokracia e Re
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
10. Partia Mundësia
11. Partia Social Demokrate

Të fundit