Flash News

KRYESORE

Lufta tregtare SHBA-BE, sfida e parë reale për politikën e jashtme të Shqipërisë (Precedenti i Rusisë)

Lufta tregtare SHBA-BE, sfida e parë reale për politikën e

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati të shpallin luftën tregtare me shtetet më të fuqishme të botës. Presidenti Donald Trump pritet të nënshkruajë në fund të kësaj jave vendimin për të vendosur tarifa deri në 25% për importet e çelikut dhe 10% për ato të aluminit.

Bashkimi Europian pritet të goditet fortë nga ky vendim, kryesisht Gjermania, që është eksportuesja e nëntë në SHBA e çelikut.

Pas disa deklaratash paralajmëruese, Brukseli reagoi dje duke lajmëruar se do i kundërpërgjigjej tarifave të Uashingtonin në të njëjtën mënyrë. Zyrtarët europianë kanë përgatitur një listë me produkte amerikane, ku përfshihen xhinset, motoçikletat Harley Davidson, uiskin burbon, gjalpi i kikirikut dhe disa lëngje, tarifat për të cilat do të vendosen deri në 25%, çka do të i jepte një goditje të madhe këtyre industrive në SHBA.

Me Gjermaninë që e ka marrë personale këtë politikë të Trump, presioni mbi 27 vendet e tjera anëtare të BE-së për të reaguar në bllok, do të jetë i madh. Por me të njëjtin presion pritet të përballen edhe vendet që po zhvillojnë negociatat për anëtarësim dhe ato që janë kandidate për në BE.

Shqipëria, vend kandidat dhe që pret hapjen e negociatave, mund të vendoset përpara kërkesës së Brukselit për të çuar në 25% tarifat e importit për produktet amerikane të sipër përmendura. Kjo do e poziciononte Tiranën kundër aleatit strategjik, SHBA-së.

Me votimin në OKB të rezolutës kundër njohjes së Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit, qeveria e Edi Ramës u justifikua me procesin e integrimit, duke theksuar se Shqipëria duhet të njehsojë politikën e jashtme me atë të BE-së.

I njëjti argument është përdorur edhe për sanksionet që i janë vendosur Rusisë pas pushtimit të Krimesë.

Shqipëria, së bashku me Malin e Zi dhe Norvegjinë janë shtetet e vetme jo-anëtare të BE-së që i janë bashkuar sanksioneve të Brukselit kundër Moskës. Serbia, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova nuk kanë vendosur të tilla sanksione.  

Precedenti rus mund të përdoret nga Brukseli për t’i kërkuar Tiranës të bëhet pjesë e luftës tregtare me SHBA-në, por kjo do të ishte sfida e parë reale për politikën e jashtme shqiptare, e cila është e orientuar drejt partneritetit strategjik me amerikanët.

Situata mund të komplikohet edhe më shumë nëse Trump e përfshin Shqipërinë në listën e atyre vendeve që nuk do të preken nga tarifat. Sarah Sanders, zëdhënëse e Donald Trump, ka thënë se për këtë çështje do të ketë vlerësim ”shtet për shtet” bazuar në kritere të sigurisë kombëtare.

Ndonëse në pamje të parë kjo do e lehtësonte pozitën e Shqipërisë, presioni që mund të vijë nga Brukseli mund ta detyrojë Tiranën të bëhet pjesë e vendimit të BE-së duke rritur tarifat për produktet amerikane pa qenë në ‘listën e zezë’ të Trump, ose në të kundërt do lëkund marrëdhëniet me europianët.

Shtetet që preken më shumë nga tarifat e Trump për çelikun dhe aluminin: Kanadaja, Brazili, Koreja e Jugut, Rusia, Meksika, Turqia, Japonia, Tajvani, Gjermania, India.

Të fundit