Mogherini kritikohet nga deputetët gjermanë për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini “ka shtyrë për planin e rrezikshëm të shkëmbimit të territoreve (midis Serbisë dhe Kosovës)”, ka thënë për ‘Der Tagesspiegel’, Johann Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU.

Me tone kritike ndaj Mogherinit, Ëadephul ka shtuar se “nuk ka asnjë garanci që ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve do të përfundojë vetëm midis Serbisë dhe Kosovës.” Sipas tij, një lëvizje e tillë do të rikthente destabilitetin dhe përplasjet etnike në Ballkanin Perëndimor. “As një konflikt ushtarak nuk do të përjashtohej”, ka thënë deputeti gjerman.

Qëndrimi i zyrtarit të lartë të CDU/CSU është mbështetur edhe nga kolegu i tij i Partisë së Gjelbër në Gjermani, Manuel Sarrazin.

“Kufijtë në Ballkanin Perëndimor janë të paprekshëm. Shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një tabu dhe duhet të mbetet e tillë “, thotë ai.

Gjermania dhe Franca do të organizojnë më 29 prill një samit me liderët e Kosovës dhe Serbisë, ku të pranishëm do të jenë edhe liderët e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegocinës, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Sipas mediave kosovare, dy shtetet drejtuese të BE-së do të kërkojnë në këtë samit që t’i japin zgjidhje përfundimtare konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.