Flash News

KRYESORE

Ndarja nga jeta e Nexhmije Hoxhës, si ia ‘ndollën’ mediat dhe ç’thoshte ajo për ‘vdekjen’ e saj

Ndarja nga jeta e Nexhmije Hoxhës, si ia ‘ndollën’ mediat

Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit komunist, një prej figurave më të rëndësishme të gati 50 viteve ekzistence të Partisë Komuniste, është ndarë sot nga jeta në moshën 99-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga familja e saj.

Por kjo nuk hera e parë që mediat shqiptare shkruajnë për vdekjen e Nexhmije Hoxhës. Tre vite më parë, më 20 dhjetor të vitit 2017, kur ajo ishte shëndosh e mirë në shtëpinë e saj, në mediat shqiptare u transmetua si me efekt domino një  ‘fake news’ se e veja e diktatorit kishte ndërruar jetë.

Lajmi disa minuta më pas u përgënjeshtrua familjarët. “Nexhmija është gjallë dhe gëzon shëndet. Lajmet e përhapura për vdekjen e saj janë të pavërteta”, deklaronte Teuta   Hoxha, nusja e djalit të Nexhmijes.

Ndërkohë që disa ditë më pas, vetë e veja e diktatorit tregonte me detaje si e mori vesh lajmin dhe nuk harronte të nënvizonte se një lajm i tillë e kishte zbavitur.

"“U zbavita. Ju e kishit shkruar shumë mirë në gazetë përgënjeshtrimin. E përgënjeshtruan publikisht edhe Pranvera dhe Teuta. Unë u zbavita dhe kemi qeshur me atë marrëzi. Isha shtrirë dhe po pushoja si çdo ditë, kur më vjen Pranvera dhe më zgjon: “Po ngjallu, më tha, se të kanë vdekur para kohe…” Nuk e morëm vesh se kush e fabrikoi atë lajm, por pak rëndësi ka kjo, pasi janë ata që na sulmojnë prej më shumë se njëzet vjetësh… Por mendoj se në përhapjen e atij lajmi kanë përgjegjësi edhe gazetarët, ata që e shpërndanë nëpër portale, pa e verifikuar. Ku është profesionalizmi dhe etika profesionale në këtë rast?”- thoshte ajo.

Sigurisht atë kohë Nexhmije Hoxha e interpretoi si një provokim një lajm  të tillë, por fatkeqësisht mediat shqiptare gafa të tilla i kishin bërë edhe me figura të shquara të  vendit,  si me këngëtaren e madhe Vaçe Zela.

Nexhmije Hoxha e veja e diktatorit Enver Hoxha dhe ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komiteti Qendror të PPSH-së është ndarë nga jeta sot në banesën e saj në Laprakë.

Të fundit