Flash News

KRYESORE

Ndryshimet në Kodin zgjedhor, PD apel Ruçit

Partia Demokratike, nëpërmjet  Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, i ka kërkuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që në seancën e radhës të  ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

"Miratimi pa vonesa i ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor do të ishte hapi i parë për të dëshmuar vullnet për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Çdo ditë që vonohet përfshirja e këtyre ndryshimeve për miratim në seancë plenare është një ditë e humbur në rrugëtimin e Shqipërisë në BE", ka shkruar Bardhi në Facebook.

Sipas të njëjtit, zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për zbatimin e identifikimit biometrik.

"Kryetari i Kuvendit të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të rradhës. Në këtë mënyrë, 3 vite nga fillimi i punës për Reformën Zgjedhore dhe 1 muaj nga Dakordësia e 5 Qershorit, Shqipëria ka shansin të tregojë se integrimi europian është vërtetë prioritet kombëtar dhe se institucionet janë të përkushtuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, pa vonesa, në këtë proces jetik për të ardhmen europiane të Shqipërisë", ka shkruar më tej, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Të fundit