Flash News

KRYESORE

"Në Tiranë u mblodh Byroja, fol Gramoz të lumtë goja..."

"Në Tiranë u mblodh Byroja, fol Gramoz të lumtë

Alfred Lela

Dita e sotme parlamentare ngjante si e dalë nga një skenë e romanit të Orwell-it '1984'. I cili flet për një regjim të trilluar ku njerëzit komunikojnë në një gjuhë të re të quajtur 'newspeak' (e folmja e re). Kjo gjuhë e re ka fjalorin e saj. Ja një fjalë, sa për të dhënë një shembull të fantazmagorisë së saj: blackwhite (zezbardha). Kuptimi i së cilës është: të besosh se e zeza është e bardhë, të dish se e zeza është e bardhë dhe të harrosh se ndokush në ndonjë kohë ka besuar të kundërtën.  

Edhe skenat e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, apo të paktën interpretimi i tyre, bëjnë pjesë në këtë lloj psikologjie të gjuhës që mund të etiketohet si 'zezbardha'.

Ngjarja shtjellohet kështu: Në foltore është deputeti Sali Berisha dhe në shpinë të tij qeveria me kryeministrin Rama. Ndërsa Berisha flet, raportimet mediatike, por edhe të deputetëvë në sallë, flasin për fjalë fyese të shefit të qeverisë në drejtim të paraardhësit të vet. Deputeti Flamur Noka, gjithmonë gati për një ndërhyrje kur Berishës 'i preket një qime', i kërkon kryetarit të Kuvendit që të mos lejojë Kryeministrin të përdorë fyerje. Berisha lë foltoren dhe në të ngjitet Noka, i cili 'shtyn' deputetin tjetër të opozitës, Rrokaj. Ruçi duke 'lexuar' rregulloren ndëshkon Nokën duke harruar fillesën e përplasjes.

Noka bëhet deputeti i tretë i opozitës i ndëshkuar nga kryetari i Kuvendit. Para tij kanë provuar ekzilin parlamentar Berisha dhe Basha. Megjithëse kjo e fut Nokën në 'ligën e të mëdhenjve', nuk është kategorizmi shqetësimi i ndodhisë, por rasti dhe përsëritja. Jemi në javën e dytë që opozita shtyhet në cepin e ringut prej nga ku nuk mund të dalë veçse duke luftuar. E pakët në numra, opozitës i duhet të durojë edhe bulizmin e një ish-komunisti të vjetër, i cili do të hyjë në historinë e parlamentarizmit për platformën e 'të bërit zap' të parlamentit. Nëse Pjetër Arbnori do mbahet mend për urtinë dhe butësinë, Ruçi do kujtohet për portretin dhe 'disiplinën' e një kampi pune e riedukimi komunist. Le të themi të Tepelenës.

Përpjekja e Ruçit, në interpretim të idesë së Ramës për ta kthyer sallën e Kuvendit në një hapësirë higjenike pa debat, në fjalime që vijojnë rresht-e-vijë, është kundër çdo tradite parlamentare solide të një vendi demokratik perëndimor. Parlamenti anglez, më tradicionali dhe përfaqësuesi në këtë traditë, me ndërhyrjet nga vendi, deputetët që përplasin pëllëmbët në tavolina, koret mosaprovuese, etj., janë shembull i kësaj.

Tre janë kurthet e kësaj përpjekje të Ramës e Ruçit. I pari është teknika për të heshtur e neutralizuar zërin opozitar, duke krijuar edhe një impas psikologjik për t'i thënë, si kundërshtarit ashtu dhe publikut 'ja, i vumë në rresht me Gramozin këta'. Format e para të kësaj u dukën te ideja e Ramës që Kuvendi të kishte një stacion të vetin televiziv, i cili të kishte ekskluzivitetin e seancave. Automatikisht, një TV i tillë do të ishte nën kontrollin e administratës së Kuvendit, pra të Ruçit dhe të Ramës.

Kurthi i dytë është ai që mund të quhet 'parlamentarizmi paralel'. Me këtë term kini parasysh 'debatet nën zë' që zhvillohen pa mikrofona, me shenja, gjuhë trupi etj. Edhe në këtë përballje, duke përfituar nga pothuaj dyfishi i deputetëve, administrata e Kuvendit dhe Garda në dispozocion, apo dhe ministrat në podium, shumica e  Edi Ramës do të dilte e fituar. Pasqyrim flagrant i kësaj teknike është zhurmimi dhe presioni psikologjik që iu bë deputetit të ri të PD, Agron Shehaj, apo dhe të tjerëve. Nuk ka nevojë të përmendet se 'luspat politike' të Sali Berishës e durojnë me stoicizëm këtë presion psikologjik prej dekadash. Lulzim Basha sapo është futur në këtë korridë si aktor i dorës së parë.

I treti kurth ka të bëjë me teknikën e shtyrjes pafund të debatit për krimin që ka pllakosur vendin, dhe lidhjet politike qeveritare apo të policisë me të. Ruçi do ta vazhdojë ta tjerrë litarin e kësaj pengese deri në një ngjarje të re që do ta zhvendosë vëmendjen nga ato të Elbasanit, seancat e gjyqit të Emiljano Shullazit, përplasja me dy të vdekur e Lushnjës, e me radhë.

Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të dënuar me 10 ditë përjashtim deputetin e opozitës, Flamur Noka, edhe pse Kryeministri ishte shkelësi origjinal, duke përdorur gjuhë të padenjë në seancë, të kujton këngën e vjetër për 'komandantin' tjetër të punistëve "Në Paris u mblodh UNO-ja, fol Enver, të lumtë goja!".   

Të fundit