Flash News

OP-ED

Shqiptari që ‘çoi dorë’ kundër Vjenës

Shqiptari që ‘çoi dorë’ kundër Vjenës

Sara Michel

Prej disa vitesh kam ndjerë privilegjin e të jetuarit në një prej qyteteve më të sigurta dhe më të bukura të Evropës dhe të mbarë botës. Kam ecur në rrugët e tij me syrin që gjallërohej nga vepra e njeriut dhe zemrën që gëzohej nga hijeshia e qytetarëve të edukuar me lirinë dhe dashurinë për të Bukurën, si shije estetike dhe si vlerë morale.

Vjena, ky qytet i artit e kulturës, i traditës e bashkëkohores, nuk mu bë kaq e dashur pse lidha fatin tim me të, por sepse diku në (nën)vetëdijen kolektive të vendit tim amë, ky qytet, kryeqendër e Evropës dhe qytetërimit, na kishte dashur gjithmonë shtet më vete e sovran, të arsimuar e të përparuar, me integritet e të gjithëpërfshirë. Ashtu siç edhe sot, Perandoria e dikurshme, zvogëluar në Republikën e Austrisë së sotme, nuk resht së përkrahuri Shqipërinë, këtë vend të vogël, por me miq të mëdhenj. Sa shumë investime në arsimimin e të rinjve shqiptarë, sa shumë projekte humanitare për shtresat në nevojë, sa shumë bashkëpunime në kulturë e art, në ringritjen e infrastrukturës dhe përmirësimin e mirëqenies, nënshkruar e vulosur me fondet e përkushtimin e vullnetmirëve të shtetit austriak. Prandaj kujtoj sesi në vendlindjen time çelej buzëqeshja e çdo shqiptari kur përballë tij qëllonte të ishte Ai, Austriaku.

E për shqiptarët e Vjenës vërtet nuk besoj të ketë një vend më të mirë, për të jetuar më pranë vendit nga vijnë. Këtu ka art e kulturë që flet e këndon shqip, ka shkencë e diplomaci që na njeh e na përfshin.

E kush shqiptar do të mund të çonte dorë me e gjakosë këtë strehë të lirisë, të bashkëjetesës e të drejtave njerëzore përtej prejardhjes e përkatësisë?

Këtë mund ta bënte vetëm një shqiptar i pa atdhe e i pa fe, një shpirt i humbur, që nuk gjeti paqe mes nesh dhe të cilin forcat e errëta e kthyen në barbar të urrejtjes më të skajshme njerëzore që po na shohin sytë mes nesh.

E megjithëse ka një tendencë nga shoqëria shqipëtare e kudondodhur, për ta parë njollën e aktit të shëmtuar e të pabesë në zemër të Vjenës, nën optikën e përkatësisë apo prejardhjes etnike, kjo qasje më rezulton se nuk ka asgjë konstruktive në vetvete. E vetmja përgjegjësi që mund të ndjejmë dhe e vetmja sfidë përballë të cilës duhet ta shohim veten, është edukimi i brezave me vlerat e lirisë, demokracisë dhe të tolerancës. Të mos mbyllim sytë kur shohim se të rinjtë kanë probleme me integrimin, të krijojmë për to kushtet që e bëjnë të pamundur indoktrinimin e tyre me ideologji ekstremiste. Nuk është e pamundur për komunitetin tonë. Nuk na mungon as dija, as kreativiteti e as përkrahja.

Vjena ndërkohë do të vazhdojë të jetë mikëpritëse e shumë kulturave e kombësive, atdheu i dytë i Ballkanit, madhështia e Evropës se djeshme dhe të sotme.

 

 

Të fundit