Flash News

OP-ED

Trusti i Lul'e'humbjes

Trusti i Lul'e'humbjes

Alfred Lela

Në PD ka vend për të gjithë zërat. Këtë aksiomë të Lulzim Bashës përcillte të dielën në mbrëmje për median zyra e shtypit të Partisë Demokratike. Duke harruar një element që, do ta fuqizonte ose shfuqizonte deklaratën e sapopërcjellë. Në asnjë rast, e njëjta zyrë që përçonte si tel bakri deklaratat e Bashës, nuk përcolli as edhe një rresht të vetëm të kritikëve të tij. Pra, asnjë zë tjetër.
Pretendimi se në PD dëgjohen të gjithë, ishte formula e vjetër 'më ka çu nana me la gojën'.
Kjo është prova më elementare se Basha as nuk i do, as nuk i pranon, as nuk u ofron fortafolës (altoparlant) zërave që nuk mendojnë si ai në parti.
Jo se na u desh të prisnim 15 majin për ta mësuar këtë.
Dy muaj më parë, kur u kishte prezantuar listat anëtarëve të Kryesisë, ai u pat fikur mikrofonët në platformën Zoom.
Pak muaj para kësaj, ai kishte ngritur Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve të cilin po vetë e zhvlerësoi dhe e banalizoi. Nuk ia njohu vendimet, nuk ia respektoi pavarësinë, nuk ia përligji ekspertizën.
Shenja e dytë se Bashës nuk i interesojnë zërat ndryshe në parti është caktimi i datës së zgjedhjeve. Mandati i tij skadonte më 22 korrik dhe shtyrja do të kish qenë instrumenti më demokratik në këtë rast, duke u dhënë kohë kandidatëve të paraqesin alternativat, por edhe strukturave të bënin analizën. Ai i afroi zgjedhjet më 13 qershor, duke iu dhënë 20 ditë kohë kandidatëve potencialë në garë.
Ky vendim nuk ishte më shumë dhe as më pak se një fletë nga libri i tij i keqmanaxhmentit. A nuk i prezantoi drejtuesit e qarqeve në muajt e parë të 2021, kur kundërshtari e ishte bërë në mes të 2020? A nuk priti deri në mesnatën e skadimit të afateve për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë?
Eshtë i njëjti Lul, i njëjti bos i trustit të lulehumbjes, me të njëjtat sjellje njerëzore dhe politike. Të gjithë ata që presin rezultate të ndryshme, nuk duhet të fajësojnë atë, por logjikën e tyre.
Luli e ka në terezi.
Në rastin më të keq, ndërmarrja në të cilën e ka kthyer PD-në, ia siguron 12 milion euro në vit.
Po ty, i dashur demokrat, sa të shkojnë fitimet apo humbjet në vit për besnikërinë që tregon për 'partinë e Lulit'...

Të fundit