Flash News

KRYESORE

Pas refuzimit nga BE, Kina ‘hidhet në sulm’; Marrëveshje me RTSH për transmetimin e dokumentarëve të qeverisë kineze                

Pas refuzimit nga BE, Kina ‘hidhet në sulm’; Marrëveshje

Ndërsa është artikuluar vazhdimisht se refuzimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve me BE rrezikon që t’i shtyjë të dyja vendet aspirante në krahët e Turqisë, Kinës dhe Rusisë, duket se tashmë ata ‘kanë hyrë direkt në lojë.

Këtë të shtunë, një ditë pas JO-së në Këshillin Evropian, Radio Televizioni Shqiptar dhe Radiotelevizioni Kombëtar i Kinës nënshkruan një marrëveshje për transmetimin e programeve televizive dhe propagandës së qeverisë kineze.

China.org’ shkruan se marrëveshja autorizoi Radio Televizionin Shqiptar që të transmetojë dokumentare mbi qeverisjen e Kinës si "Kina: Koha e Xi" dhe filmi me metrazh "Fëmijët e qytetit të Wuzhumuqin".

“Në kuadër të marrëveshjes, të dy institucionet do të bashkëpunojnë gjithashtu në shkëmbimin e prodhimeve televizive, dokumentare dhe karikaturat, si dhe trajnimin e stafit", shkruan China.org.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit, Thoma Gellci, drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, tha se marrëdhëniet bilaterale në fushat e prodhimit të televizionit dhe shkëmbimet e kulturave shqiptare dhe kineze kanë hyrë në një epokë të re”, shkruan media kineze, ndërsa Gellci shprehet: "Radio Televizioni Shqiptar do të ketë mundësinë të ofrojë filma për audiencën shqiptare që tregojnë se si Kina dhe populli kinez po përballen me sfidat në rrugën e zhvillimit".

Ndërkohë, ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding tha për median kineze se dokumentari mbi qeverisjen e Kinës do të hapë një dritare të re për shqiptarët për të njohur më mirë Kinën.

"Në epokën e re, ne duhet të njihemi me njëri-tjetrin në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe më të thellë, e cila është gjithashtu baza dhe parakushti për thellimin e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë", tha ambasadori.

"Ky aktivitet nuk është vetëm një hap për të nxitur bashkëpunimin e mëtejshëm në shkëmbimet e radios dhe televizionit midis dy palëve, por është gjithashtu një mjet i dobishëm për forcimin e besimit të ndërsjellë midis dy vendeve dhe popujve", tha Zhou Jihong, nënkryetari i bashkëpunimit ndërkombëtar i departamentit me Administratën Kombëtare të Radios dhe Televizionit Kombëtar të Kinës.

Kjo marrëveshje është pjesë e një sërë aktivitetesh në sajë të 70 vjetorit të vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.

Ndërkohë, dje kryeministri rus Dimitrij Medvedev mbërriti në Beograd, ditën kur serbët festojnë çlirimin nga trupat naziste gjermane 75 vjet më parë.

Më herët, edhe ‘Financial Times’ shkruante se Ballkani përbën një rajon me interes të veçantë për trazira nga ana e Rusisë, Turqisë dhe Kinës, duke marrë si shembull rastet e përfshirjes së Rusisë në zgjedhjet e Malit të Zi, financimin e islamit politik në rajon nga Turqia dhe zgjerimin e influencës së ekonomisë së Kinës.

Refuzimi i Shkupit dhe Tiranës, media franceze: ‘Nga gabimi historik i BE’ mund të përfitojnë Turqia, Kina dhe Rusia

Të fundit