Flash News

POLITIKOFF

Ç’është Agjencia për Media dhe Informim, ‘njësia’ e re për propagandën e qeverisë ‘Rama 3’ dhe monitorimin e medias

Ç’është Agjencia për Media dhe Informim,

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e parë të Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e Agjencisë për Median dhe Informimin, e njohur edhe si “Media and Information Agency – MIA”, e cila do jetë në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.

Çfarë është kjo agjenci dhe cili është misioni i saj?

“Agjencia ka si qëllim të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore dhe organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik”, thuhet në VKM.

Po ashtu, MIA drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit dhe përfaqëson agjencinë në marrëdhënie me të tretët, i cili emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra po nga Kryeministri.  

Kjo agjenci do të ketë strukturat e saj në çdo ministri dhe do të përcaktohen nëpunës përgjegjës për informimin, komunikimin mediatik, të ngarkuar nga Agjencia me përfaqësimin e institucioneve respektive në komunikimet dhe raportet me publikun dhe mediat apo me çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm.

Ndonëse Rama tha se mbështetet në modele të suksesshme në Itali dhe Gjermani, duket se në thelb agjencia ka si qëllim centralizimin e informacionit të dalë nga qeveria.

Deputeti i Partisë Demokratike njëkohësisht dhe kryetari i Komisionit të Edukimit dhe Medias në Kuvend, Agron Gjekmarkaj ka reaguar për krijimin e një agjencie për mediat dhe informimin.

Sipas tij, ky është një instrument i ri propagande, kontrolli dhe shantazhi.  

“Vendimi i keshillit të ministrave per “Agjensinë per mediat” është një imitim gebelsian në brendi për të shtuar një tjeter instrument propagande, kontrolli e shantazhi!”, tekson Gjekmarkaj ndër të tjera.

Vendimi për krijimin e agjencisë sanksionon gjithashtu që asnjë nga zëdhënësat e qeverive nuk mund të komunikojë me median ndërsa të gjitha marrëdhëniet publike të qeverisë duhet të kalojnë përmes “zëdhënësit të kryeministrit”.

Në përbërje të Agjencisë, pranë secilës ministri dhe institucion qendror në varësi të Kryeministrit apo ministrave krijohen struktura apo përcaktohen nëpunës përgjegjës për informimin, komunikimin mediatik, të ngarkuar nga Agjencia me përfaqësimin e institucioneve respektive në komunikimet dhe raportet me publikun dhe mediat apo me çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm,” thuhet në vendim.

Po ashtu, ky vendim është parë edhe si një instrument për të shtuar kontrollin ndaj mediave.

Agjencia vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore. Për këtë qëllim, Agjencia mund të kryejë edhe sondazhe dhe hulumtime të tjera.
Siguron informimin e përditshëm të Kryeministrit mbi lajmet, debatet publike, çështjet me interes publik të paraqitura në median vendase dhe të huaj”, thuhet në VKM.

Sekretarja për të Përndjekurit Politikë në PD, Jonila Godole reagoi duke thënë se krijimi i kësaj agjencie është ogur i keq për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë, pasi është kurorëzimi i ligjit “anti-shpifje”, për të cilin Rama mori goditje dy vite më parë nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Sipas saj, qytetarit shqiptar nuk mund t’i kërkohet të paguajë 3 institucione që i shërbejnë qeverisë, pasi veç agjencisë së re, janë edhe ATSH dhe RTSH.

Sepse ky duket qe do te jete mandati i propagandës dhe censurës se ligjëruar me vule kryeministrore!

Sot kryeministri kurorëzoi ligjin "anti-shpifje“, për te cilin mori goditje dy vjet me pare nga te gjitha institucionet ndërkombëtare”, shkruan Godole.

Kjo agjenci e re, në bazë të ankesave apo sinjalizimeve të qytetarëve, do të nisë hetime dhe penalizime ndaj funksionarëve publikë. 

Shqipëria për herë të fundit ka pasur një ministri Informacioni në vitin 1999, me ministër Musa Ulqnin.

Të fundit