Flash News

PRINT

Përse nuk jam komunist?

Përse nuk jam komunist?

Karol Çapek

Këtë çështje filluan ta shqyrtojnë ata që kishin predispozita për t’u marrë me politikë. Është më se e qartë, përse nuk pyesin nëse jam anëtar i Partisë agrare apo nacional-demokrat. Të mos jesh agrar nuk do të thotë se mbron ide të caktuara apo pozicione të caktuara jetësore, por të mos jesh komunist do të thotë të jesh antikomunist; dhe të qenët antikomunist përbën jo vetëm një mohim, por edhe një kredo të caktuar.

Personalisht kjo çështje më ka lehtësuar, m’u kërkua të mos polemizoj me komunistët, por të bindja veten që nuk kam qenë kurrë i tillë, dhe kurrë nuk do të bëhem komunist. Do ta kisha pasur më të lehtë në qoftë se do të kisha qenë me ta. Do të kisha jetuar me idenë se marrja pjesë në mënyrë aktive në ndreqjen e botës, do të kisha qenë i bindur se jetoja në krah të të varfërve kundër të pasurve, do të dija saktë të përcaktoja drejtimin tim të të gjykuarit, ç’duhet të urreja dhe të përbuzja. Në vend të kësaj, unë e ndjej veten të munduar, duarbosh, të zbuluar nga çdo doktrine; të paaftë për t’i ndihmuar njerëzimit, madje shpesh nuk di të ruaj të pastër as ndërgjegjen time. Në qoftë se zemra ime është me të varfrit, atëherë përse nuk u bëra komunist.

-Po, pikërisht për këtë jam në anën e të varfërve.

                                                              *             *             *

Kam parë varfëri me përmasa drastike ku gjithçka rrethuese më është kundërvënë. Ngado që kam qenë u jam larguar pallateve dhe kam vërejtur jetën e të varfërve i lënduar nga pozita poshtëruese e dëshmitarit të pafuqishëm. Nuk është e mjaftueshme të depërtosh në mizerjen e njerëzve dhe ta ndjesh atë; do të duhej ta jetoje atë lloj jete. Këtë varfëri njerëzore të veshur me zhele nuk e merr në mbrojtje asnjë parti; në këto strofulla të tmerrshme ku nuk gjendet asnjë gozhdë për t’u varur, asnjë rreckë për të shtruar, komunizmi u drejtohet nga një distancë e parrezikshme; për gjithçka ai bën fajtor sistemin shoqëror; pas dy vjetësh, pas njëzet vjetësh do të ngrihet flamuri i revolucionit dhe atëherë...

Si kështu, pas dy vjetësh, pas njëzet vjetësh? A do të ishit të aftë të aprovoni qetësisht se mund të ekzistojnë dy muaj dimri, akoma dy javë, akoma dy ditë? Borgjezia, që nuk mund, ose nuk do t’u ndihmojë është e huaj për mua, po kaq i huaj është dhe komunizmi, që në vend të ndihmës premton flamurin e revolucionit. Qëllimi i komunizmit është të sundojë dhe jo të shpëtojë, në flamurin e tij është shkruar motoja e pushtetit dhe jo e ndihmës. Mjerimi, papunësia, uria për komunizmin nuk janë turp, as dhimbje e papërballueshme, por grumbullim forcash të errëta, të dala nga skajet e tërbimit. “Për këtë fajtor është sistemi shoqëror”. Jo, fajin e kemi të gjithë ne, mos vallë të gjithë njëlloj ndihmojmë vuajtjet njerëzore, duke mbajtur duart në xhepa, ose duke zgjatur drejt qiellit flamurin e revolucionit.

Varfanjakët nuk përbëjnë një klasë shoqërore. Këta janë njerëz të deklasuar, të dalë nga binarët dhe të paorganizuar, asnjëherë ata nuk mund t’i afrohen fronit, asnjë prej tyre nuk mund ta zërë atë solemnisht. Të uriturit nuk duan të sundojnë, por të ngopen, është indiferent ai që drejton vendin para pamjes së varfërisë; e rëndësishme është, ajo çfarë ndjejmë ne njerëzit. Varfëria nuk është as klasë, as institucion, por është fatkeqësi, kur unë shoh përreth për të kërkuar ndjeshmërinë njerëzore, has në doktrinën e akullt të sundimit klasor.

Unë nuk jam komunist, sepse komunisti nuk e njeh moralin e ndihmës dhe ndjesinë e të vuajturit, prandaj ai propagandon krijimin e një rregulli social, të ndryshëm nga amullia e tmerrshme që krijon varfëria. Në qoftë se ai është dakord të ndihmojë fatkeqin, kjo ndodh vetëm me një kusht në fillim të marrin pushtetin dhe pastaj çështja mund të prekë dhe të varfrin. Fatkeqësisht dhe ky premtim i kushtëzuar për ndihmë, nuk është i garantuar. Të varfrit nuk përbëjnë masën. Mijëra të varfër nuk mund të ndajnë as copën e bukës. I varfri, i urituri, i pafuqishmi kryesisht është i vetmuar. Jeta e tyre ka kuptim vetëm për ta, dhe s’është e lidhur me jetën e të tjerëve. Ky është një rast i veçantë fatkeqësie, ndonëse ngjan si dy pika uji me fatkeqësitë e tjera. Kthejeni shoqërinë përmbys, përsëri të mjerët do të bien në fund ndoshta duke iu shtuar edhe të tjerë.

Unë nuk e ndiej veten aristokrat, por nuk mund të besoj në mundësitë e masës. Ndonjë, mundet seriozisht të besojë, se masat janë të afta për të drejtuar qeverinë, ato mund të jenë vetëm mjete, për arritjen e qëllimit; ato i përdorin edhe si material politik njerëzor, madje më i ashpër e i pamëshirshëm se sa vetë anëtarët e partive kundërshtare. Që të shndërrosh njeriun në material duhet ta përpunosh dhe t’i japësh formë, ti veshësh atij një uniformë prej materiali ose ideje standarde; fatkeqësisht uniformën ideore nuk mund ta qepësh brenda një afati gjysëm vjeçar.

Do t’i respektoja shumë komunistët në qoftë se ata do t’i ishin drejtuar punëtorit duke i thënë ndershmërisht: Prej teje më duhet kjo... kjo... kjo..., por nuk të premtoj asgjë; ti më duhesh mua si një i vetëm, i verbër, si material ashtu siç ke qenë në fabrikë, ti duhet të heshtësh dhe të dëgjosh, siç po bën tani, kur çdo gjë të ketë ndryshuar, ti do të mbetesh po ai; në do të jesh më mirë apo më keq këtë nuk ta garantojmë; rregulli i ri nuk do të jetë për ty as më i çmuar; as më bamirës, por më i drejtë.” Mendoj se shumica e punëtorëve do të mendohej seriozisht pasi të ketë dëgjuar propozimin e bërë, ai do të ishte plotësisht i pranueshëm, madje më i pranueshëm sesa premtimet e bëra deri më sot. Të ushqesh varfanjakun me premtime do të thotë ta vjedhësh atë. Mundet që ai të rrojë më lehtë, kur atij i tregojnë patat e majme në degë, por praktikisht dhe sot, ashtu si njëqind vjet më parë, është më mirë të kesh një vezë sot, sesa një pulë mot. Më mirë zjarr në vatër se sa gjel të kuq mbi strehët e pallateve që janë më të pakët se sa mendojnë njerëzit, që nuk i kanë parë me sytë e ballit, por i kanë parë me sytë e ndërgjegjes klasore; ne me përjashtime të vogla nuk jemi popull i pasur, por në bazë të rregullit kjo hollësi duhet harruar.

Shpesh thonë se i varfri nuk ka ç’humb, por në të vërtetë është e kundërta, në çdo rast i varfri rrezikon më shumë nga të gjithë, në qoftë se ai do të humbte diçka, ajo është krodha e fundit e bukës, me krodhën e bukës nuk mund të eksperimentosh. Asnjë ndryshim shoqëror nuk prek pakicën, por prek shumicën, le të jetë kjo luftë, krizë valutore, apo diçka tjetër, më keq në këtë situatë do të gjenden të varfrit, se varfëria nuk ka përmasa. Më të pashpresët nuk janë të pasurit por të varfrit, provoni të përmbysni botën dhe do ta shihni kë do të përpijë dheu të parin.

Si duhet të veprosh në këtë rast. Personalisht nuk i kushtoj shumë rëndësi fjalës “zhvillim”, mendoj se “nevoja” është e vetmja gjë në botë, që nuk mund të zhvillohet, por vetëm të rritet në mënyrë kaotike. Në asnjë mënyrë çështjen e të varfërve nuk mund ta zgjidhë vendosja e një sistemi të ri shoqëror, në qoftë se ata në përgjithësi duhen ndihmuar, atëherë duhet nisur nga momenti. Është e vërtetë çështja, a disponon shoqëria e sotme mundësi të mjaftueshme morale për të ndihmuar të varfrit; komunistët thonë- “jo”. Ja, këtu ne ndahemi prej tyre. Unë nuk përpiqem të pohoj se në bashkësinë tonë sociale ka mjaft njerëz të pagabueshëm, por në secilin prej anëtarëve të shoqërisë gjenden doza ndershmërie dhe mendoj se pas shumë mendimesh dhe predikimesh mund të flitet për drejtësi të qëndrueshme. Konform doktrinës komuniste konsensusi është plotësisht i parealizueshëm; sigurisht komunizmi e ka tipar mosbesimin ndaj humanizmit të shumicës, por për këtë do të flas më poshtë. Shoqëria jonë nuk u shkatërrua kur u ngritën ndërmarrje në ndihmë të të papunëve, të moshuarve dhe të sëmurëve; nuk mendoj se është bërë mjaft, por, si për ta, si për mua kanë rëndësi, sepse u aplikua mundësia e ndihmës, këto ndërmarrje u ngritën dhe funksionuan realisht pa pritur momentin e lavdishëm, kur në qiell do të shpalosej flamuri i revolucionit. Të besosh se zgjidhja e problemit të varfërisë është detyrë e të sotmes dhe jo e sistemit të ardhshëm shoqëror, do të thotë të jesh antikomunist. Të besosh se copa e bukës, ngrohtësia e zjarrit sot, janë më të rëndësishme se sa revolucioni pas 20 vjetësh do të thotë të zotërosh një temperament me drejtim antikomunist.

                                                                *             *             *

Tipari më i çuditshëm dhe më çnjerëzor i komunizmit, është errësira e pakrahasueshme që ai përhap. Në qoftë se një motoçiklist shtyp një plakë të shurdhët- ky është tregues i kalbëzimit të sistemit; në qoftë se dora e një punëtori dëmtohet nga rota e tornos, atëherë, është borgjezia ajo që e theu atë dorë të gjorë, me një kënaqësi gjakpirëse. Të gjithë ata, që për një arsye a për një tjetër nuk u bënë komunistë janë tmerrësisht të këqinj, zemra e tyre është e ndotur, madje e tharë; në tërë shoqërinë e sotme nuk mund të gjesh asgjë të mirë; gjithçka që ekziston është e pavlerë.

Jerxhi Belker në një nga baladat e tij ka shkruar “në zemrën tënde, thellë në fund, kam gjetur urrejtjen, fukara”. Urrejtja është fjalë e tmerrshme, por për tu habitur kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Thellë në fund të shpirtit të varfanjakut mund të zbulosh edhe hare. Punëtori pranë tornos shpesh bën shaka më shumë se drejtori ose fabrikanti, gurëthyesi në kantier qesh më shumë se sa arkitekti apo pronari; ose në qoftë se dikush në shtëpi këndon, kjo është shërbyesja që lan dyshemenë dhe jo zonja. I ashtuquajturi proletar është më i prirur ndaj të gëzueshmes, deri në perceptimin foshnjor të botës: pesimizmi komunist dhe urrejtja e zezë janë artificiale dhe aspak të pastra. Importimi i errësirës së përjetshme është quajtur “edukim revolucionar i masave” ose “forcim i ndërgjegjes klasore”. Të varfrit, që natyra i ka dhënë fare pak, në këtë mënyrë, i heqin dhe gëlimin primitiv të jetës: kjo është pagesa e parë për llogari të larjes së borxhit për botën e ardhshme të shkëlqyer.

Klima komuniste është jomikpritëse dhe antinjerëzore: për të nuk ekzistojnë temperatura të ndërmjetme midis prushit borgjez dhe zjarrit revolucionar, proletarit nuk i lejohet të zgjedhë qetësisht dhe me kënaqësi se kujt duhet t’i kushtohet. Në botë nuk ekziston dreka dhe darka: ose ushqimi i pështirë i llumit ose lakmia e kapitalistit. Nuk ka dashuri: por korrupsion seksual të sunduesve dhe shumim të pamasë të proletarëve.

Borgjezia thith erën e dekompozimit të vet, ndërsa proletariati, erën e kalbëzimit tuberkular. Unë nuk e di a kanë kuptuar gazetarët dhe shkrimtarët, që pamja e botës është kaq e pakuptimtë, apo gënjejnë me ndërgjegje; për mua është e qartë që njeriu naiv dhe i papërvojë, siç është në përgjithësi proletari, që jeton në botën e përçudnuar. Këtë botë duhet ta shkatërrosh nga themelet. Por meqenëse kjo botë është vetëm një fiksim, do të ishte e domosdoshme të shkatërrohej ky fiksim i kalbur ndofta edhe me rrugën e revolucionit; në këtë mënyrë edhe pse i alarmuar do të merrja pjesë. Sigurisht, në batakun tonë të turpit ka mjaft vuajtje, zotëron fatkeqësia, ndaj ka shumë pak kënaqësi dhe gëzim. Shpresoj se personalisht nuk mundem ta përfytyroj botën në nuanca rozë, por kur bie në kontakt me errësirën e padepërtueshme të komunizmit tragjik, më duhet me zemërim të shqiptoj fjalët e protestës: nuk është e vërtetë, bota më duket krejt ndryshe! Unë kam hasur shumë pak njerëz të cilët nuk do të meritonin qoftë dhe një varfëri të dhënë në këtë bulb shprese shpëtimi. Ka shumë pak njerëz, te të cilët Zoti i arsyeshëm do të derdhte zjarrin dhe squfurin. Në botë ka më shumë mediokritet, se sa të këqia, por ka mjaft simpati dhe besime, respekt dhe vullnet të mirë, që të ndihmojnë, për të mos u larguar pa shpresë nga njerëzimi.

Nuk besoj në përsosjen e njeriut të sotshëm dhe të nesërm; botën nuk do ta kthejë në parajsë as zhvillimi paqësor as revolucioni, madje as zhdukja e plotë e gjinisë njerëzore. Në qoftë se në një farë mënyre do të mund të mblidhnim ato të mira që ndodhen në secilin prej nesh, krijesa mëkatare, besoj se do të mund të krijonim një botë shumë më simpatike se kjo që është sot. Ju mund të thoni se kjo është një filantropi e kalbur, po unë me të vërtetë u përkas atyre idiotëve të cilët e duan njeriun vetëm sepse ai është njeri.

Nuk ka asnjë lloj vështirësie të pohosh, se pylli është i zi; por çdo dru në pyll nuk është krejt i zi, ai njëkohësisht është i zi dhe i gjelbër, sepse kjo është pishë dhe bredh i zakonshëm. Është lehtë të pohosh se shoqëria është e shëmtuar; por përpiquni të gjeni në të njerëz krejtësisht të shëmtuar? Provoni të gjykoni për botën pa thjeshtime banale, atëherë nga principet tuaja nuk do të mbetet as hiri. Premisa e komunizmit është mosnjohja hipokrite e jetës. Në qoftë se dikush thotë se i urren gjermanët, unë, do të këshilloja atë, të jetonte midis tyre dhe më pas do ta pyesja nëse me të vërtetë e urren zonjën gjermane të shtëpisë, a do të kishte dëshirë ai, ta therte shitësin gjerman të ëmbëlsirave, apo të mbyste plakën teutone që shiste shkrepëse. Një nga vetitë më amorale të njerëzimit është prirja ndaj përgjithësimit në vend të gjykimit të realitetit që duhet ta zëvendësoje atë. Nga gazetat komuniste ju, nuk do të mësoni asgjë për botën, përveç asaj, që ajo është një hiç, që nuk i vlen njeriut.

Urrejtja, padija, mosbesimi principal përbëjnë botën shpirtërore të komunizmit; mund të përcaktojmë dhe diagnozën; kemi të bëjmë me një rast patologjik negativizmi. Kur individualizmi shkrihet me masën, atëherë, ai shndërrohet në epidemi, megjithëse kjo nuk do të qe pozitive. Ndaloni qoftë dhe një minutë pranë një lypësi në qoshe të rrugës; vini re cili nga kalimtarët nxjerr nga xhepi një lëmoshë për të; shtatë nga dhjetë janë njerëz që ndodhen në prag të varfërisë; tre të tjerat janë femra. I nisur prej këtyre kushteve, komunisti arrin në përfundimin se borgjezia nuk ka zemër; unë dal me përfundimin tjetër, më të gëzueshëm, se proletariati ka zemër më të gjerë dhe është më i prirur nga ndjeshmëria, dashuria, vetë-sakrifikimi. Komunizmi me urrejtjen e tij dhe tërbimin klasor do ta shndërrojë njeriun në egërsirë; një poshtërim i tillë nuk i shërben të varfrit.

Botës së sotme nuk i duhet urrejtja, por vullneti i mirë, harmonia, bashkëpunimi dhe për më tepër zemërgjerësia dhe klima e mirë morale; unë mendoj se edhe pak dashuri e zemërgjerësi janë të afta të bëjnë çudira. E mbroj botën e sotme, jo sepse është bota e re pasurve, por sepse kjo është bota e të varfërve dhe veç kësaj është bota e atyre që ndodhen midis shtypjes së kapitalit dhe urrejtjes klasore të proletariatit, e atyre të cilët mbajnë dhe ruajnë pjesën më të madhe të vlerave morale të njerëzimit. Unë nuk njoh nga afër me mijëra njerëz të pasur dhe për këtë nuk mund t’i gjykoj ata, por kam gjykuar atë klasë, që quhet borgjeze sepse mua më kanë qortuar për një pesimizëm të kalbur. Prandaj deri në një farë mase unë kam të drejtë të mbroj ata për të cilët më lejohet të mos mbyll sytë për defektet dhe të metat e tyre. Proletariati nuk mund ta zëvendësojë këtë klasë, por ai, deri në një farë mase, mund të shkrihet me të. Kultura proletare nuk ekziston sado mendjemprehta të jenë programet estetike të hartuara prej tyre. Pikërisht, ashtu siç nuk ka kulturë të pastër etnografike, aristokrate dhe religjioze; çdo gjë që mbetet në kulturë është e lidhur me shtresat e mesme të ashtuquajtura inteligjencë. Në qoftë se proletariati do të kërkonte të drejtën të merrte pjesë në zhvillimin e kësaj tradite dhe në qoftë se ai do të shpallte: “Mirë, unë marr përsipër përgjegjësinë për botën e sotme dhe do të drejtoj të gjitha vlerat që disponon ajo” – atëherë ia vlen ta duartrokasësh; por në qoftë se komunizmi të çon përpara qorrazi si një rrangallë e panevojshme, duke prishur çdo gjë që quhet kulturë borgjeze, atëherë më falni, njeriu që nuk ka humbur tërësisht ndjenjën e përgjegjësisë para së gjithash do të fillojë të shtiret dhe në këtë mënyrë do të asgjësohet.

                                                                *             *             *

Kam thënë që varfëria e vërtetë nuk është institucion, por është fatkeqësi. Sado që ju do të përpiqeni të ndryshoni të gjithë rregullat, ju nuk do të mund të pengoni ato, që njeriut i sjell fatkeqësi, sëmundjen, vuajtjen nga uria dhe të ftohtët, nevojën e ndihmës. Çdo gjë që të thoni, lufta me fatkeqësitë, është borxh moral dhe jo social. Gjuha e komunizmit është e pamëshirshme, ajo nuk i pranon vlerat e tilla si ndjeshmërinë, shpirtmirësinë, ndihmën dhe solidaritetin njerëzor, ajo e vendosur pohon se për të nuk është karakteristikë sentimentalizmi. Për mua kjo është edhe më e keqe sepse unë jam sentimental, si çdo shërbyese, si çdo budalla, si çdo njeri i rregullt, vetëm huliganët dhe demagogët nuk janë sentimentalë. Pa arsye sentimentale, ti nuk mund ti japësh të afërmit asnjë gotë ujë; shkaqet racionale nuk të shtyjnë ty, për të ndihmuar njeriun e rrëzuar sepse, ai ka rrëshqitur.

                                                                *             *             *

Së fundi është problemi i dhunës. Unë nuk jam plakushja që fillon të bëjë kryqin kur dëgjon fjalën “dhunë”; duhet të pranoj se me dëshirë do të godisja njeriun i cili flet gjepura, ose gënjen; por kjo nuk ndodh sepse unë nuk kam forca, ose jam mjaft i dobët për t’u mbrojtur. Siç e shihni, unë s’jam sherret, por në qoftë se borgjezi shpall se do të varë proletarët, unë menjëherë do të vrapoja në ndihmë të atij që do të varej. Njeriu i rregullt nuk mund të mbështesë ata që kërcënojnë, që thërrasin për pushkatime dhe varje, që ndajnë shoqërinë njerëzore në dy grupe, në grupin e përkrahësve të transformimeve sociale dhe të atyre që prishin ligjet e zakonshme të moralit.

Mua më quajnë “relativist”, mbi mua siç duket, bie pesha e rëndë e fajit intelektual: unë përpiqem ti kuptoj të gjitha, gërmoj në të gjitha shkencat dhe literaturat deri tek përrallëzat e negërve dhe me një farë gëzimi mistik zbuloj se duke pasur një grimë durimi mund të gjejmë mirëkuptim me të gjithë njerëzit, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës dhe besimi. Siç duket, ekziston një logjikë e përgjithshme njerëzore si dashuria, humori, optimizmi dhe dëshira për të ngrënë me shije, si dhe shumë e shumë sende të tjera pa të cilat, nuk mund të ekzistosh. Dhe ja, nganjëherë unë tmerrohem ngaqë nuk mund t’i kuptoj komunistët; unë i ndjej idealet e komunizmit, por nuk mund të kuptoj metodat e tyre. Nganjëherë më duket sikur ata flasin në gjuhë të huaj të pakuptueshme për mua, ndërsa mendimi i tyre u nënshtrohet ligjeve të tjera. Në qoftë se një popull beson, se njerëzit në një farë mënyre duhet të durojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri mendon se ata duhet të hanë shoku shokun, kjo, natyrisht përbën një ndryshim esencial, por aspak parimor; por ja, në qoftë se komunistët mendojnë se në disa rrethana, duhet të varen dhe të pushkatohen njerëzit, kjo nuk është një çështje më serioze se sa të shtypësh çimkat, këtë unë nuk mund ta kuptoj aspak edhe sikur të ma shpjegojnë në gjuhën time. Mua më krijohet një përshtypje e tmerrshme e kaosit, dhe unë kam frikë se ne asnjëherë nuk do të biem dakord. Unë nuk e kam humbur besimin, ekzistojnë mendime morale dhe racionale përmes të cilave njeriu duhet të njohë njeriun. Metoda e komunizmit është tentativa e përgjithshme për të krijuar keqkuptime ndërkombëtare. Kjo është tendenca për ta ndarë njerëzimin në pjesë të veçanta që nuk i lidh asgjë dhe që s’e kuptojnë njëra tjetrën. Ajo që është e mirë për njërën anë, nuk mund të jetë e mirë për anën tjetër, pikërisht sikur njerëzit e të dy anëve nuk janë të barabartë në kuptimin fizik e moral.

Po më lëshoni mua, komunistin më fanatik. Në qoftë se nuk më zhduk në vend do të kem shpresë të diskutoj me të shumë çështje, sigurisht jo nga ato që kanë të bëjnë me komunizmin. Komunizmi në parim nuk pranon të diskutojë dhe të aprovojë ata që mendojnë ndryshe për ato gjëra që nuk i përkasin komunizmit; provoni të flisni me komunistët për funksionet e shpretkës; ata aty për aty do tu sqarojnë se kjo është shkencë borgjeze, pikërisht siç është dhe poezia borgjeze, romantika borgjeze, humanizmi borgjez etj. Forcën e bindjeve e për çdo vogëlsi ju do ta gjeni te komunistët në mënyrë mbinjerëzore, por arsyetimet e tyre janë kaq bindëse aq sa ata nuk e përqendrojnë vëmendjen tek mohimi. Mundet që këto nuk janë aspak bindje, por vetëm përshkrime rituale dhe së fundi, thjeshtë mjeshtëri.

Mua me të vërtetë më vjen keq për këta proletarë të cilët janë ndarë hermetikisht nga bota e civilizuar dhe këta j’ua kompensojnë me perspektivën joshëse të revolucionit të ardhshëm. Komunizmi midis tyre, ka vendosur një kordon, jeni pikërisht ju, intelektualët komunistë, që qëndroni ndërmjet kësaj barriere të ngjyrosur dhe të gjitha vlerave kulturore që janë përgatitur për ta dhe për të tjerët që do të vijnë më pas. Por ende ekziston shpresa për botën e kaltër dhe në qoftë se midis jush nuk ka vend për të atëherë, ajo do të fluturojë mbi kokat tuaja duke zbritur drejt e nga qielli.

Unë ndiej lehtësi që munda të them diçka, por kjo nuk është e gjitha. Mua më duket sikur u rrëfeva, unë nuk i përkas asnjë partie, diskutimi im për komunizmin është çështje bindjesh, çështje e ndërgjegjes time.

*Përktheu: RUDINA XHUVANI

Të fundit