Publikohet videoja ku shfaqet kryebashkiaku duke marrë drogë, Hoxha: Janë kërcënuar njerëz me jetë

Është publikuar videoja ku shfaqet kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla duke thithur kokainë në një ambient publik. Gazetari Artan Hoxha i cili kishte videon tha se filmimet ishin bërë nga kamerat e sigurisë disa kohë më parë.

“Kemi të bëjmë me një rast që është shumë i rëndë. Kjo konfirmon akuzat e PD që kërkoi të fusë me ligj testin për narkotikët për funksionarët e lartë. Është një rast që përbën problem. Kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe marrin vendime për të mirën e qytetarëve.”, tha ai në Abc news.

Gjithashtu Hoxha i kërkoi policisë që të bëjë kujdes ndaj personave të caktuar në Bulqizë, sepse për shkak të videos janë kërcënuar familje me jetë.

“Ka pasur shumë ndërhyrje. Ti qëndrosh ballas të vërtetës, është e vështirë, unë do t’i kërkoj meqë jam në studio policisë së qarkut Dibër që të ketë në vigjilencë pas publikimit të videos. Kanë kërcënuar me jetë njerëzish dhe kanë kërcënuar me jetë familje vetëm që të mos i publikojnë, Janë njerëz që ata mendojnë se janë futur në këtë histori”, tha Hoxha.

Ai shtoi se edhe ka marrë kërcënime të formave të ndryshme.