Flash News

Rajoni

Përfundon me tensione takimi në Bruksel/ Kurti: Bëra 4 propozime dhe u refuzuan; Vuçiç: Pala shqiptare është e papërgjegjshme

Përfundon me tensione takimi në Bruksel/ Kurti: Bëra 4 propozime
Foto nga takimi

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Alkesandër Vuçiç. Gjatë takimit ka pasur debat mes dy udhëheqësve. Kurti ka reaguar pas takimit me Vuçiç përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai thotë se ka treguar qëndrimin kritik të qeverisë tij për marrëveshjet e nënshkruara deri më sot . Gjithashtu thekson se ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë.

Kurti bën me dije se takimi i radhës do të mbahet para datës 25 korrik. Ai liston katër propozimet që ka bërë në takim, ku më kryesoret janë: Një marrëveshje, ku Kosova dhe Serbia do të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën; reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave, pas njohjes së ndërsjelltë dhe që Serbia të ndryshojë qëndrim për çështjen e të pagjeturve.

Ai bën me dije se këto propozime janë refuzuar, ndërsa bën me dije se sot pasdite shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell do të takohet me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden.

"Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiç dhe z. Selakoviç, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve", shkruan Kurti.

Ndërkohë Vuçiç ka akuzuar palën shqiptare për papërgjegjshmëri. Ai tha se takimi i sotëm nuk ngjasonte si për dialog. Vuçiç ka kërkuar që të respektohen marrëveshjet, për të cilat Kurti nuk ishte dakord.

"Jemi të përkushtuar për dialog, por kjo e sotmja nuk dukej si e tillë, falë papërgjegjshmërisë së palës shqiptare. Është rënë dakord që dialogu të vazhdojë në nivelin më të lartë deri në fund të korrikut. Të respektojmë gjithçka që është nënshkruar deri më tani. Është e rëndësishme për ne të ruajmë stabilitetin dhe paqen", shkruan ai në rrjetet sociale.

Të fundit