Flash News

KRYESORE

Ribotohet “Kohë për nuse” i shkrimtarit Lazër Stani

E gjeni në librari botimin e dytë të vëllimit me tregime “Kohë për Nuse” i shkrimtarit Lazër Stani. Ribotimi, pas shitjes së tirazhit të parë, vjen për lexuesit i rishikuar nga autori dhe sërish nën siglën ‘Botimet Fishta’.

Në këtë libër të autorit janë përshirë tetë tregime: “Të magjepsurit”, “Përqafim në mort”, “Pianisti”,  “Kohë për Nuse”, “Një histori dhe një emër gruaje”, “Me sy të fiksuar pas një ylli”, “Idioti udhëton për Amerikë” dhe “Daiza Zaharia”.  Janë histori të përvetëshme, histori shqiptare, të rrëfyera me një stil të jashtëzakonshëm, që të rrëmbejnë me thellësinë, bukurinë, çiltërsinë, lirshmërinë dhe vërtetësinë e tyre tronditëse.

Botimi i parë u mirëprit nga kritika dhe lexuesi. Studiuesi dhe poeti Ndue Ukaj, pas botimit të parë të këtij libri, shkruante: “E lexoj librin me tregime “Kohë për Nuse” të Lazër Stanit dhe them se ky autor ka gjithmonë diçka për të thënë. Në tregimet e kësaj përmbledhjeje, ashtu sikurse edhe në krijimtarinë e tij të mëparshme, ai rrëfen bukur, me elegancë dhe magji shkrimi. Sepse ai ka gjithmonë diçka të re për të thënë, dhe këtë e thotë me një stil të lartë, gjuhë të bukur e narracion dridhmues.” (Gazeta  “Mapo”)

Poeti dhe studiuesi i ndjerë Ragip Sylaj shprehej:  “Sado që me prozën e tij shumështresore, Lazër Stani ta kujton herë Anton Pashkun, herë Borgesin e herë ndonjë tjetër, origjinaliteti i krijimtarisë së tij është i pakontestueshëm e së këndejmi: brilant. Nëpërmjet zhbirimeve psikologjike e psikanalitike, shkathtësisë e zhdërvjelltësisë së rrëfimit dhe efekteve të tjera spirituale e magjike, depërtohet mrekullisht tek ana e errët e qenies a e vetëdijes së njeriut – te ndërdija e tij ose te bodrumi i shpirtit, siç e quan atë Sigmund Frojdi”.

Një një shkrim të botuar po në gazetën Mapo, pas botimit të parë të librit “Kohë për Nuse”, kritiku dhe studiuesi i letrave Agim Baçi shprehej: “Me një stil ku ngjarjet marrin përpara njëra-tjetrën, ku herë i japin jetë njëra-tjetrës e herë i ngulin ashtu, përhumbshëm e pa kuptim, Stani sjell një prozë plot ngjyra, sidomos në pikturimin e gjërave që mbeten me një kohë të përhershme, si Dashuria dhe Njeriu. Gjuha është thuajse në kufijtë e poezisë, ndërkohë që personazhet dhe fabulat marrin udhën për të jetuar lirisht edhe larg vendlindjes, edhe larg kohës së autorit.”

Kritiku i njohur Ramadan Musliu, duke analizuar prozën e Stanit, në librin e tij “Estetikë e Dallueshme”, shkruan: “Në prozën tregimtare të Lazër Stanit,  kemi në radhë të parë njeriun e dilemave dhe pikëpyetjeve ekzistenciale, por që esencialisht është njeri autokton, karakter burimor, ani se ai vështrohet për së brendshmi, nga ana shpirtërore, që mundëson përgjithësime dhe qërim nga tiparet nacionale.”

Botimi i dytë i librit “Kohë për Nuse” shoqërohet me një pasthënie të shkruar nga Profesor Anton Nikë Berisha, ku ndër të tjera, thekson: “Me tregimet e vëllimit “Kohë për nuse” (tregimi “Daiza Zaharia” mund të merret edhe si novelë) Lazër Stani dëshmoi aftësinë e tij prej prozatori të kulmeve, duke e ngritur tregimin tonë në ato rrafshe artistike që gjakojnë ose kanë mbërritur vetëm letërsitë e mëdha.”

Lexuesi tashmë mund ta gjejë librin në libraritë e Tiranës tek “Albania”, “Adrion”, si dhe në libraritë e Lezhës, Shkodrës, Durrësit etj.

SKEDA

“Kohë për nuse”

Autori: Lazër Stani

Gjinia:Tregime

Botoi: Botimet Fishta

Numri i faqeve: 181

Çmimi: 800 lekë.

 

 

 

Të fundit