Shënim/ Historia e betejës 10 vjeçare të Komunitetit Mysliman me Turqinë. A po fiton më në fund ‘sulltan Erdogani’?

Opinioni publik shqiptar dhe i huaj është spekuluar me fushata dezinformimi mediatik, nga një shtet i huaj, Turqia me anë të ambasadës së vet në Tiranë, Agjencisë Telegrafike Shtetërore të saj (AA), si dhe segmenteve dhe agjenturave të veta në Shqipëri, duke nxitur urrejtje në një shtet sovran prej saj, që nga 1912 dhe me një institucion të pavarur që nga 1923, KMSh. Komuniteti Mysliman Shqiptar i cili historikisht është i vetmi komunitet fetar, që s’ka pasur e s’ka, si dhe e ka të inkuadruar në statut, që të gjithë punonjësit e saj, që nga imami i thjeshtë, e deri te kreu i saj, të gjitha burimet njerëzore i ka shqiptarë dhe nënshtetas të Republikës së Shqipërisë.

Kështu në vitin 2010, disa elementë brenda KMSH-së, të mbështetur nga segmente të qeverise Turke tentojnë realizimin e një “puçi institucional”, duke u përpjekur të shkarkonin kryetarin e asaj kohe (H. Selim Muça) dhe të merrnin nën kontroll këtë institucion. Me ndihmën e shtetit shqiptar, kjo tentativë rezultoi e pasuksesshme, por përpjekjet për të shtënë në dorë institucionin nuk reshtën asnjëherë. Marrëdhëniet e KMSH me Dijanetin (Komunitetin Mysliman të Turqisë) dhe Turqinë vijnë duke u përkeqësuar, derisa ne vitin 2015 ndërpriten de-facto plotësisht.

Presidenti turk ka përdorur gjithashtu edhe ceremoninë e hedhjes së themeleve të xhamisë së madhe, që po ngrihet në Tiranë për të akuzuar direkt drejtuesit e KMSH-së dhe për t’i kërkuar qeverisë shqiptare që të ndërhyjë në këtë institucion.

Krahas këtyre, pas dështimit, që pati Turqia për të futur në dorë KMSH-në, medresetë dhe universitetin Bedër, nëpërmjet fondacionit shtetëror turk “MAARIF”, ata kanë blerë vitin e kaluar një rrjet shkollor (i përbëre nga një universitet dhe një shkolle e mesme “NeëYorkUniversity of Tirana”) dhe për vitin akademik 2019-2020 kanë lancuar dhënien e 500 bursave.

Deklaratat e herëpashershme nga ambasada turke dhe Agjencia Turke e Lajmeve (AA-Anadolu Ajans) janë të paprecedent dhe shpesh herë janë dënuar ashpër edhe nga institucionet e larta të vendit, shoqëria civile dhe media, siç ka qenë edhe reagimi i Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, ministres së Arsimit, deputetëve nga pozita dhe opozita, intelektualëve, etj.

Pas kësaj, duke parë që nga fushata mediatike që bënë, u denigruan vetë dhe nuk patën rezultat, prej disa kohësh ata po punojnë me metoda të tjera shantazhimi dhe joshjeje, duke zhvilluar udhëtime në Turqi me disa grupe dhe shoqata turkofile në Shqipëri, për të marrë kontrollin e KMSH-së nëpërmjet zgjedhjeve të 2 marsit për kryetar të këtij institucioni.

Turqia ka përdorur dhe ka kushtëzuar gjithashtu edhe disa investime qeveritare në Shqipëri për t’i bërë presion qeverisë shqiptare për të larguar drejtuesit aktualë të KMSH-së dhe për të emëruar njerëzit e saj “besnikë”.

Para pak ditësh në Tiranë ka qenë edhe këshilltari me origjinë shqiptare i Erdoganit, Sabri Demir, i cili ka zhvilluar takime me myftij dhe persona të tjerë, që mbështesin islamin politik dhe linjën erdoganiste.

Këto ndërhyrje do të mbeten si raste të pashembullta të një shteti të huaj në punët e brendshme të institucionit më të madh fetar në vend, garantues i paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës ndërfetare, duke nxitur kështu keqinformime, e duke sjellë destabilitet në frymën e bashkëpunimit dhe harmonisë, që përcjell ky institucion në Shqipëri, në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Thirrjet e tyre për spastrim dhe marrje me dhunë dhe presione të ndryshme të KMSH-së janë thirrje për kaos, që duhen marrë seriozisht nga organet kompetente të shtetit shqiptar, të cilat aktualisht, politika qeveritare për shkak të lidhjeve të forta me Turqinë dhe Presidentin Erdogan, siç është folur dhe në media janë bërë pazare të forta për dorëzimin e KMSH-së elementeve erdoganiste, të cilët do të përfaqësojnë islamin politik në Shqipëri.

Situata të ngjashme ka patur dhe në shtete të tjera të Ballkanit, ku Turqia ka arritur të fusë në dorë plotësisht komunitetet myslimane të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Malit të Zi dhe ka bashkëpunim të ngushtë me Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën, me të cilat punon për të shtrirë politikat dhe influencën e saj në Ballkan. Në këtë linjë nuk duhet harruar që është edhe Irani, pavarësisht se me influenca më të vogla.

Ruajtja e linjës tradicionale të Islamit në Shqipëri është në dobi dhe të komuniteteve të tjera fetare, të cilat i druhen një ndryshimi të kursit të KMSH-së, e cila do të dëmtonte rëndë bashkëjetesën dhe dialogun ndërfetar në Shqipëri, myslimanët e të cilit janë autoktonë prej mijëra vitesh, europianë dhe pro perëndimore me një lidhje të ngushtë me SHBA-në, ku ky institucion, së bashku me medresetë dhe Universitetin Bedër kanë pasur disa projekte kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm të iniciuara nga ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Video/ ‘Lasgushi’ po fluturon, por në emër të ‘Turkish Airlines’