Flash News

KRYESORE

Shenjat se raportet Rama-Veliaj nuk janë më si më parë

Shenjat se raportet Rama-Veliaj nuk janë më si më parë

Raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk janë më si më parë. Zhvillimet e kohëve të fundit tregojnë se mes kryeministrit dhe kryebashkiakut ka një krisje e cila tashmë ka nisur të reflektohet edhe në publik.

Përplasjet e para mes tyre kanë nisur që në fillim të shtatorit. Emrat që Rama zgjodhi për të pasur në kabinetin e tij qeveritar nuk u pritën mirë nga ana e kryebashkiakut. Pas kësaj duket se Veliaj nisi një lloj ‘hakmarrje’ ndaj kreut të qeverisë.

Vendimi i tij për të mos larguar nga administrata e Bashkisë përfaqësuesit e LSI-së nuk u prit mirë nga Edi Rama. Si për të vijuar me ‘kokëfortësinë’ e tij kryebashkiaku nisi sfidën ndaj Ramës duke u shfaqur hapur në darka me Presidentin dhe ish-kreun e LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit vinte nga një fushatë ku kishte sulmuar ashpër Edi Ramën.

Pas këtyre lëvizjeve të Veliajt ishte radha e Ramës. Për herë të parë ai zgjodhi të kritikonte publikisht Veliaj. Në studion e emisonit “Zonë e Lirë”, Rama i kërkoi kryebashkiakut që kur është jashtë shtetit të mos shpërndajë më kaseta nëpër media sikur është në krye të punëve në kryeqytet.

Duket se kjo deklaratë e Ramës nuk është pritur mirë nga Veliaj i cili mesa duket ka vendosur të bojkotojë kryeministrin. 

Veliaj mungoi në takimin që Rama zhvilloi disa javë më parë në kryeministri, ku mblodhi të gjithë kryebashkiakët e vendit për të njoftuar nisjen e aksionit kombëtar kundër vjedhjes dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm. Mungesën në këtë takim Veliaj e justifikoi me faktin që ndodhej për një vizitë jashtë vendit.

Ndërkohë edhe ditën e sotme, Veliaj nuk mori pjesë në aktivitetin, ku krahas Ramës ishin të pranishëm edhe kryebashkiakët e vendit, ku u lançua nisa e aksionit për pastrimin e Shqipërisë. Këtë radhë Veliaj ishte në Tiranë ndërkohë që në aktivitetin në fjalë kishte deleguar nënkryetarin e bashkisë Arbian Mazniku./Politiko.al

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit