Flash News

KRYESORE

Tensioni Shqipëri-Greqi, presidenti Ilir Meta vlerëson ministren greke dhe kritikon tifozët e Partizanit

Tensioni Shqipëri-Greqi, presidenti Ilir Meta vlerëson ministren greke

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për tensionin e ngritur së fundmi midis Shqipërisë dhe Greqisë pas vrasjes së Kostandinos Kacifas në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Meta thekson se kjo është një ngjarje e izolur dhe kërkon hetim transparent dhe shterues.

Në reagimin zyrtar të Presidencës thuhet se Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar atë për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Meta ka dënuar edhe banderolën raciste të shpalosur dje në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ nga tifozët e Partizanit.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.

Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke.

Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.

Të fundit