Flash News

KRYESORE

Topalli denoncoi lidhjen me Ramën, ISP: Me Pal Shkambin është shkelur Kushtetuta, nuk duhej të zgjidhej në Komisionet e Vettingut

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar sot një njoftim ku bën me dije shkeljet që janë kryer nga Kuvendi dhe OMN, me zgjedhjen e Pal Shkambit zëvendës Komisioner në Pozicionin e Pavarur të Kualifikimit.

ISP thekson se sipas Kushtetutës, në aneksin mbi reformën, “anëtarët e Komisionit dhe gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit” është vendosur se kandidatët për anëtarë të Komisionit dhe gjyqtarë të Kolegjit nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe funksione drejtuese në partitë politike gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit.

Por, Pal Shkambi rezulton se ka qenë për vite më radhë kryetar i Partisë Popullore Kristiandemokrate dhe është regjistruar në zgjedhjet e fundit lokale (2015) në koalicion me Partinë Demokratike.

“Çështja është kaq e thjeshtë: si është e mundur që për një procedurë kaq të rëndësishme të ndiqet standard kaq minimal, të shkelet Kushtetuta dhe të injorohen fakte publike? A është kjo një devijim nga parimet kushtetuese dhe parimet e reformës apo një gabim konsensual i partive dhe OMN? Si është e mundur që asnjë palë politike nuk flet, asnjë grupim asistues në proces nuk flet, asnjë media nuk e raporton skandalin dhe që gjërat absurde vijojnë të na ofrohen si procese normale, madje novative?”,- thuhet në reagimin e ISP.

Përfshirja e Pal Shkambit në Komisionet e Vettingut u denoncua fillimisht nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar më 17 qershor. Topalli akuzoi Shkambin se ka lidhje me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit mohoi të kishte njohje.

Jozefina Topalli: “Kjo është e rëndë dhe nuk më shkon mendja të votoj në bllok njerëz të cilët  kanë mbyllur procese personale gjyqësore duke paguar para dhe që sot  do i mbani maje vetingut për të bërë purifikimin e sistemit të drejtësisë?! Po kujt ja thoni këto?! Kush është kjo Republika e Pal?! Jo zotëri Unë nuk e votoj. Nuk e mbyll këtë legjislaturë duke votuar emra që nuk thonë asgjë. Pa folur që është listë antikushtetuese. Ju sot do votoni veç të tjerash një që është kryetar partie. Kjo është  antikushtetuese. Po votoni një listë antikushtetuese sepse ka shkelje të barazisë para ligjit...”

Edi Rama: “Jozefinë, listës i hodha një sy dhe nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e di ku mi gjete gjithë këta miq e shokë. Në këtë listë unë nuk kam asnjë mik. Këtë Pal Shkambin po e dëgjoj për herë të parë.  Ndoshta ti e di unë s’e di.  Unë njoh Ina Ramën dhe jam krenar që kemi mbështetur Ina Ramën dhe jam i keqardhur që ti përmend si grua…”

Pal Shkambi është dorëhequr si kryetar i PPKD-së më 19 qershor të këtij viti, dy ditë pasi Kuvendi kishte votuar për zgjedhjen e tij në komision.

Të fundit