Flash News

KRYESORE

Vangjel Nikolla: Synoj të flas me fuqinë e ngjyrës, si një poezi që vargun e fundit ia le lexuesit

Mira Mrruku

Të futesh në botën e një artisti, të flasësh e të dëgjosh rreth rrugëtimit të tij artistik, do të thotë të njihesh me dimensione të reja jetësore, të cilat ushqehen prej pasionit të madh për artin dhe të bukurën. Kështu ndodh me piktorin dhe ikonografin, Vangjel Nikolla, i cili në një intervistë  për Politiko.al, rrëfen disa detaje të rrugëtimi i tij artistik, duke zbërthyer atë çfarë ai komunikon nëpërmjet telajove dhe punëve të tij artitike.

Si nis dita për një piktor dhe a ndikon situata aktuale në atë çfarë hedh mbi telajo në rastin tend?

Unë e nis ditën me vetveten. Kam lënë takim të përjetshëm me të. Janë momente kur kërkoj të mësoj nga vetja se sa i frymëzuar jam, në çfarë niveli kam dëshirën dhe pasionin dhe sigurinë që edhe sot do bëj diçka të bukur. E përditshmja është piktura, momenti kur pikturon me shpirt dhe sy. Aktualiteti ndikon pa dyshim në gjendjen emocionale. E jetoj thjesht dhe përpiqem ta gjithmonë të jap ndihmesë për ta përmirësuar duke e zbukuruar atë me penelin tim.

Kontrasti dhe ngjyrat janë pjesë e rëndësishme e punës tënde. Në fakt çfarë ngjyrash ka aktualiteti i Vangjel Nikollës?

Gjithçka është ngjyrë në jetën time. Unë shprehem nëpërmjet ngjyrave. Ato më japin mundësinë të deshifroj sipas këndvështrimit tim jetën, emocionet, dëshirat, ndjenjat... Të preferuarat e mia janë ngjyrat që lejojnë dritën e diellit t'i ndryshojë dhe aktueliteti im ka pikërisht këto ngjyra.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira të rrugëtimit tënd artistik?

Ndryshimet që ndodhin në jetën e një artisti janë pa dyshim të vështira. Momente të tilla ka gjithmonë dhe mendoj se është në të mirën e artistit të ketë. Janë sfida krijuese të përditshme. E rëndësishme është të mos ketë periudha të vështira. Po! Unë kam patur të tilla; fillimi i jetës sime ë Greqi dhe kthimi në Shqipëri pas një jete 23 vjeçare larg vendit tim.

Po ato më të suksesshmet?

Njeriu ka objektivat e veta por asnjëherë nuk duhet të mendojë se i ka arritur, sepse ndryshe nuk ecën përpara. Si momente të suksesshme mund të përmend ato kur jam ndjerë shumë bukur, si rastet e ekspozitave me piktura që kam çelur apo kur shoh besimtarët t’iu përulen dhe t’iu falen ikonave të mia në Kisha… Kënaqësi të madhe provoj, kur njerëzit emocionohen para portreteve të të dashurve të tyre.

Një pjesë të mirë të karrierës tënde e ke zhvilluar në Selanik, sa i vështirë ka qenë adaptimi artistik atje?

Në Selanik kam shkuar që në vitin 1992. Fillimet kanë qenë të vështira, por i kujtoj me shumë nostalgji. Përballja me artin bashkëkohor dhe artin bizantin me la një mbresë të madhe dhe më shenjoi jetën. M'u desh një përpjekje shumë e madhe që edhe unë të bëhesha pjesë e tyre. Jashtë vendit eksperienca është shkolla më e mirë, e cila akumulohet nëpërmjet ekspozitave, ngjarjeve artistike dhe kontakteve me piktorët e tjerë dhe njerëzit e artit në përgjithësi.

Teksa ndalon përballe pikturave të tuaja përhumbesh, hera herës në kokë të ngrihen pikëpyetje nëse je përpara një pikture apo poezie, një ndjesi që të mbërthen brenda saj. Cili është sekreti juaj si piktor?

Arti iu përket të gjithëve dhe secilit në veçanti. Edhe unë mundohem që me penelin tim të jap mesazhe dhe të komunikoj me njerëzit. Në punët e mia dashuria duhet të triumfojë gjithmonë. Kjo është agonia dhe sekreti im; të jem në gjendje që ta shpreh këtë.

Në pikturat tuaja çdo detaj dhe mesazh është kaq i gjallë, saqë herë të duket sikur gjithçka është kopsitur, e herë sikur ka një vazhdim brenda asaj kornize që të fton për më tej?

Pikturat e mia përcjellin optimizëm. është një përpjekje e përhershme për të zbukuar të bukurën rreth meje, të brendshmën dhe të jashtmen, edhe atëherë kur duket sikur ajo nuk ekziston. Synoj të shprehem me një mënyrë jopërshkruese, por të flas me fuqinë e ngjyrës. Si një poezi që vargun e fundit ia le lexuesit.

Cilat janë projektet tuaja të radhës?

Pas kaq viteve eksperiencë, mendoj se është detyrim çelja e një ekspozite në Tiranë. Eshtë në projektet e mia dhe do marrë formë së shpejti. Ajo që di me siguri është se çdo ditë do të hedh diçka në telajo...

Të fundit