Flash News

KRYESORE

"Vendi në krizë, Rama kalon fundjavën në Paris", PD akuza Kryeministrit: Shpenzoi 100 mijë euro të shqiptarëve për charter personal

"Vendi në krizë, Rama kalon fundjavën në Paris",

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama për shpërdorim të të ardhurave publike në jetë luksi, pavarësisht se vendi ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se: “Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris”.

Sipas Bardhit, një udhëtim i tillë është kryer pa asnjëlloj shpjegimi apo njoftimi zyrtar. Sekretari i Përgjithshëm i PD vijon akuzat ndaj Ramës  duke thënë se “ndërsa ai përdor 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal, shumë shqiptarë po presin të riatdhesohen”.

“Ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris. Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhetimi.

Për ç’arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale?

Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal?

Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale.

Si mundet që Kryeministri ta trajtojë shtetin si pashallëk dhe të plotesojë qejfet e veta për udhëtime turistike ndërkohë që shqiptarët janë më të varfër se kurrë?

RAMAVIRUSI që ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, që ka varfëruar dhe lënë të papunë shumicën e tyre, shpërdoron fondet publike për interesa personale.

Shqipëria nuk është pashalleku i Edit të Surrelit. Mosha dhe zullumet e kanë plakur autokratin në ikje, që po braktiset çdo ditë nga qytetarët e ndershëm shqiptarë”, shkruan në reagimin e plotë të tij Gazment Bardhi.

Të fundit