Flash News

KRYESORE

Vrasja në Belgjikë, Frroku dhe Marinaj humbasin gjyqin në gjykatën e Strasburgut

Vrasja në Belgjikë, Frroku dhe Marinaj humbasin gjyqin në

Mark Frroku ka humbur edhe një betejë tjetër me Drejtësinë. Por këtë radhë, jo me atë shqiptare. Ka qenë Gjykata e Strasburgut ajo, e cila ka refuzuar dje kërkesën e tij dhe të Kristjan Marinajt për t’u shpallur si persona, të cilëve proceset gjyqësore u janë zvarritur tej afateve të arsyeshme.

Ish-deputeti i Kuvendit shqiptar Mark Frroku, që tashmë po vuan në Shqipëri vitet e burgut për disa krime të natyrës financiare, ka marrë dje një vendim nga Gjykata e Strasburgut. Në fakt, nuk ka paditur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut shtetin shqiptar. Ai i është drejtuar Strasburgut më 21 shtator të vitit 2010 kundër shtetit belg.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut njoftoi dje se më datë 6 mars 2018, një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Robert Spano (kryesues), Paul Lemmens, Işıl Karakaş, Nebojša Vučinić, Valeriu Griţco, Jon Fridrik Kjølbro dhe Stéphanie Mourou-Vikström ka marrë në shqyrtim padinë e dy qytetarëve shqiptarë. Bashkë me këtë njoftim, ajo ka zbardhur edhe vendimin e marrë duke rrëzuar padinë e Mark Frrokut dhe Kristjan Marinajt.

Ngjarja

Strasburgu rendit faktet si më poshtë. Më 5 mars 1999 një person që u gjet i plagosur rëndë pranë stacionit hekurudhor të Brukselit vdes nga plagët. Më datë 10 janar 2000 një gjyqtar nxjerr mandate arresti ndërkombëtar ndaj Frrokut dhe Marinajt, me emrat e mëparshëm. Marinaj u arrestua në Itali në nëntor 2002 për krime të tjera, ku mbante një tjetër emër. Ai nuk u ekstradua asnjëherë drejt Belgjikës. Ndërsa Frroku u arrestua në Holandë në maj 2002, edhe ai me një emër tjetër, edhe ai për krime të tjera.

Aty u dënua në dhjetor 2002, por u ekstradua drejt Belgjikës, ku dy vjet më vonë u vendos në paraburgim. Në shtator Frroku u lirua, por me detyrimin që të largohej nga Belgjika. Ndërkohë, më 14 mars 2007 Gjykata e Apelit e Brukselit urdhëroi sjelljen e Besnik Morinës dhe Arjan Bytyçit, me nënshtetësi serbe, si dhe tre të tjerëve, para gjyqit, si të akuzuar për autorë të vrasjes. Gjyqi nuk pranoi kërkesën e avokatëve të tyre për t’i përfaqësuar në mungesë, ndërkohë që duke filluar nga ky proces i fundit avokatët ngritën çështjen e tejkalimit të afatit të arsyeshëm të gjykimit.

Gjykimi

Ndonëse Gjykata e Apelit e Brukselit pranoi faktin që gjykimi i çështjes ishte zgjatur tej afateve, ajo vendosi që një gjë e tillë vetëm sa e zvogëlonte dënimin, por, duke patur parasysh se ishte fjala për një vrasje në bashkëpunim, dënoi të akuzuarit me 10 vjet burg. Por ky vendim u hodh poshtë për çështje procedurale nga Gjykata e Lartë, që e kthehu në Apel çështjen, ku ajo mbërriti në mars 2011. Në vitin 2012 çështja u shty se mungoi avokati për arsye shëndetësore, ndërkohë që në vitin 2013 ndodhi e papritura: Mark Frroku zgjidhet deputet i Parlamentit shqiptar. Por,konstaton Strasburgu, duket se autoritetet belge nuk e mësuan menjëherë një fakt të tillë. Më 2014 sërish avokati i Frrokut sëmuret dhe çështja shtyhet për në 2015.

Në fillim të vitit 2015 autoritetet shqiptare u informuan se ishte lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar ndaj Mark Frrokut. Më 30 mars 2015 ministria shqiptare e Drejtësisë u përgjigj se nuk mund ta ekstradonte Frrokun, pasi ai nuk ishte serb, por shqiptar. Por shtonte se Prokuroria kishte vendosur ta ndiqte çështjen penale të tij në Shqipëri, duke kërkuar me këtë rast edhe dokumentacionin përkatës.

Më 2 prill 2015 Frrokut i hiqet imuniteti dhe një ditë më pas ai kalon në paraburgim për ngjarjen e Belgjikës. Pas kësaj, më 19 tetor 2015 Gjykatës belge iu bë e ditur se çështja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur, për shkak të gjykimit të saj në Shqipëri. Në shkallë të parë në Shqipëri, më 22 prill 2017 Mark Frroku u lirua nga akuzat e ngjarjes së Belgjikës, ndërsa Kristjan Marinaj po ashtu ishte liruar më 15 mars 2017. Por Frroku u dënua për krime të tjera me 7 vjet e gjysmë./shqiptarja.com/

 

 

Të fundit