Flash News

KRYESORE

"Zgjedhorja"/ Ruçi takim me deputetët e opozitës së re: Respektojmë plotësisht të drejtat tuaja, formuloni konkretisht propozimet

"Zgjedhorja"/ Ruçi takim me deputetët e opozitës

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me përfaqësues të opozitës parlamentare për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore. Pjesë e takimit ishin deputetët Krenar Rryçi, Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Vasil Steriovski dhe Zef Shtjefni, ndërsa kjo tryezë u mbajt me kërkesë të opozitës parlamentare.

Deputetët i paraqitën Kreut të legjislativit kërkesat e tyre për përfshirjen në reformën zgjedhore të sistemit proporcional kombëtar, listave të hapura, heqjen e pragut elektoral, votimin e emigrantëve, identifikimin biometrik të votuesve, ndalimin e financimit të partive në fushatat zgjedhore nga buxheti i shtetit etj.

Ndërkaq, Ruçi u kërkoi deputetëve opozitarë formulimin e propozimeve të tyre në një draft konkret për nismat ligjore dhe më pas ato do të diskutohen në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në komisionet e Kuvendit dhe në seancë plenare.

Sipas kreut të Kuvendit, procedurat parlamentare që do të ndiqen do të respektojnë plotësisht të drejtën e secilit deputet për të propozuar, diskutuar, shqyrtuar, votuar ose kundërshtuar nismat ligjore që paraqiten në Kuvend, duke mos i cenuar ata.

Të fundit