Flash News

KRYESORE

10 lëvizjet 'e bujshme' të 2018 në tregun e medias, aty ku gjërat lëvizin, por nuk ndryshojnë

2018-ta ka qenë viti me lëvizje të bujshme të gazetarëve në mediat shqiptare.  Nga moderatorët e programeve politike, te ata të showbizit, kanë lëvizur në ekrane të ndryshme, qoftë dhe vetëm për një sezon.

Lëvizjet e gazetarëve politikë

Ylli Rakipi-moderatori i emisionin "Të paekspozuarit” lëvizi për një sezon nga News 24 në Top Channel, por u rikthye sërish në ekranin kur punonte prej vitesh.

Eni Vasili- Njihet si “Eni i Studio e Hapur”, por këtë shtator moderatorja erdhi me “Open” në Top Channel.

Rudina Xhunga- Pas një periudhe shkëputje nga televizioni (së fundmi nga Vizion Plus) , moderatorja u rikthye me “Dritare” në News 24.

Adi Krasta- Nga Top Channel, në TVSH, Krasta u ndal në televizionin News 24. Çdo të hënë në orën 21:00, moderatori, në emisonin “A”, vjen me intervista të personazheve, kryesisht nga politika.

Sonila Meço- Pas një periudhe të gjatë tërheqje nga ekrani, që pas mbylljes së Agon Channel, Sonila Meço vjen në Ora News. Që nga janari, ajo do të drejtojë një emision të ri në këtë televizion. Ndërsa gjatë dhjetorit, Meço ka realizuar emisione dedikuar protestës së studentëve, duke ftuar pedagogë, analistë e studentë.

Beti Njuma- Spikerja e lajmeve në Top Channel ka lënë këtë televizion duke marrë postin e drejtoreshës së informacionit në Ora News. Post që mbante më parë Ilva Tare.

Ilva Tare- Ish-moderatorja e “Tonight” në Ora News, ka lënë këtë televizion dhe pritet që ta shohim së shpejti në Euronews, televizioni më i ri në Shqipëri.

Televizioni A2 rrëmben gazetarët:

Televizioni A2 që u hap këtë nëntor, mori disa prej gazetarëve më të mirë.

Juli Kristafi  la Top Channel për t'iu bashkuar 'A2'. Po ashtu dhe gazetarë të tjerë si Elert Yzeri, Endri Xhafo dhe Denisa Pasholli, lanë Top Channel për A2.

Gazetarja dhe spikerja e lajmeve në News 24 Marsela Karapanço, iku nga ky televizion për t'iu bashkuar televizionit A2.

Edhe Anduena Llabani i është bashkuar televizionit më të ri në Shqipëri A2, i cili është në partneritet me CNN.

Po ashtu, këtë vit ka patur dhe lëvizje të moderatoreve 'soft'.  Ndërsa merkatoja e tyre, është zhvilluar kryesisht mes Klanit dhe Top Channel.

Klea Huta e cila ka drejtuar një sërë programesh në TV Klan si; “Gjeniun e Vogël”, “Maratona e Këngës Popullure’, i është bashkuar Top Channel. Ajo tashmë drejton emisionin "VIP Club" në këtë media.

 

Një tjetër moderatore që la Klanin për Top Channel është Nevina Shtylla. Nga 'Jo vetëm modë", Nevina sot moderon "Procesin Sportiv" krah Edi Manushit. Ndërsa në vend të Nevinës, "Jo vetëm modë" e drejton Orinda Huta.

Kiara Tito e 'Select',  i është bashkuar Klanit me emisionin "Doktor Plastik".

E bujshme qe dhe lëvizja e moderatorit 'historik' të Vizion Plus, Turian Hyskos dhe e aktorëve të programit të humorit "Apartamenti 2xl". Tashmë Turin e shohim në ekranin e TV Klan me emisionet "Familja" dhe "Dublex".

Rastet e mësipërme janë disa nga lëvizjet e gazetarëve në media.

Të fundit