Flash News

KRYESORE

10-vjetori i NATO-s bashkon Ramën dhe Metën; Si reagojnë në publik pas replikave për krizën politike

Sot, në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë u mbajt ceremonia e përvjetorit të 10-të i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ndër personalitetet e shumtë, të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta.

Pas replikave në distancë lidhur me krizën politike që ka përfshirë vendin, me daljen e opozitës së bashkuar nga Parlamenti, Ramën dhe Metën i ka bashkuar aktiviteti i 10-vjetorit të NATO-s.

Siç duket ata kanë shtrënguar duart mes tyre dhe kanë qëndruar krah njëri –tjetrit. Megjithatë, bie në sy edhe fakti se gjatë kohës që qëndronin ulur, kanë mbajtur një qëndrim të ftohtë.

Kujtojmë se kreu i shtetit, pak ditë më parë bëri një deklaratë të fortë nga Pogradeci, kur tha se ishte i gatshëm të dorëzojë edhe ai mandatin, madje duke sakrifikuar edhe jetën si Salvador Allende, me kusht që t’i jepte zgjidhje krizës politike të krijuar prej një muaji.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur presidentit nga Kongresi i PS, mbajtur të shtunën se presidenti duhet të rrijë i qetë për sa kohë Shqipëria është anëtare e NATO-s.

“LSI-ja nuk përfaqëson më as Ilir Metën. Ilir Meta ndihet kaq i papërfaqësuar sa i duket se një juntë ushtarake do të sulmojë pallatin presidencial. Zoti President e di që më dëgjon, rri i qetë, jemi dhe do të mbetemi vend i NATO-s. Nëse nuk më beson mua, ti beson Pandin. Të garantoj se sa të kemi Pandin, ky vend nuk del nga NATO. Në fund të ditës, fundi politik i Lulit dhe Monikës nuk duhet të jetë problemi i imi, i joti dhe i yni. Sistemit të kërcënimit të sistemit demokratik të tyre, zoti President, ne bashkarisht si vend i NATO-s, do t’i përgjigjemi si ushtarë në mbrojtje të demokracisë. Rri i qetë dhe mos i ço më në mend ato të tjerat se na hutove” u shpreh Rama.

Të fundit