Flash News

KRYESORE

100 pemë të reja përgjatë Lumit të Tiranës, Veliaj: Partitë e rëna nga vakti nuk mund ta mbajnë më peng kryeqytetin, koha për transformim

100 pemët e para për 100-vjetorin e Tiranës Kryeqytet u mbollën sot në Lumin e Tiranës, i cili është edhe një nga projektet e mëdha që do të transformojë zonën e Bregut të Lumit.

Kryebashkiaku Veliaj iu bashkua aksionit të mbjelljes së pemëve duke theksuar se do të mbillen 30 mijë pemë.

Ai nënvizoi se nga projekti i Lumit të Tiranës përfitojnë katër njësi administrative, të cilat do të kenë më shumë gjelbërim.

Projekti për rehabilitimin e Lumit të Tiranës u bë jo vetëm për të mbrojtur nga përmbytjet njësitë 4, 8, 9 dhe 11 - ka 3 vjet që nuk e dëgjojmë më fjalën përmbytje te Bregu i Lumit - por, ka ardhur koha të investojmë me gjelbërim. Do të mbjellim 30 mijë pemë përgjatë gjithë Bregut të Lumit. Do të jetë praktikisht një lloj parku linear, siç është buza e Liqenit të Tiranës përgjatë autostradës”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se Tirana nuk ka më kohë për të humbur, teksa shtoi se disa parti politike të rëna vakti nuk mund ta mbajnë peng Tiranën me kauza false.

Sot prishëm ndërtimet e fundit pa leje te “Shqiponja” dhe besoj u provua për të gjithë se ajo ishte një kauzë false e disa partive të rëna nga vakti, të cilat nuk mund ta mbajnë më peng Tiranën. Tirana mbush 100 vjeç këtë vit dhe nuk mund të vazhdojmë pas 100 vitesh me të njëjtat biseda që kishte mbreti Zog me arkitektët për të ndërtuar një rrugë apo një Bulevard. Pas 100 vjetësh, të gjitha forcat politike duhet të thonë: Jepi gaz, të ecim sa më shpejt, jo të bllokojmë dhe të mbajmë peng. Humbëm një vit shumë të çmuar te zona e Astirit, por tani që ai mit ra bashkë me ndërtesën e fundit pa leje, kur janë akomoduar dhe shpronësuar të gjithë, besoj se është një moment shumë i mirë për të thënë se Tirana do ecë përpara”, shtoi ai.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se këtë mandat do të bëhet edhe mbyllja ceremoniale e Bulevardit të Ri të Tiranës, me një shesh të madh fundor.

 

Të fundit