15 vite burg për trafik droge, lirohet nga qelia Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit  

Gjykata e Apelit në Catania ka liruar nga burgu trafikantin e drogës Moisi Habilaj dhe aktualisht do të qëndrojë në arrest shtëpie në San Michele di Ganzaria.

Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane, ku sqaron se gjykata ka pranuar kërkesën për modifikimin e masës së paraburgimit të paraqitur nga mbrojtësit, Maria Caltabiano dhe Francesco Strano Tagliareni.

Habilaj u dënua në shkallë të parë me 15 vjet dhe 5 muaj burg, teksa ishte pjesë e hetimit të dosjes ‘Rosa dei Venti’, ku anëtarët e një organizate italiano-shqiptare transportonin marijuanë dhe armë përmes detit.

Habilaj, i njohur dhe si kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri, u arrestua në tetor të vitit 2017.

Media italiane shkruan se i afërmi i politikanit, që ndodhej në paraburgim që nga tetori i vitit 2017, kishte pranuar pjesërisht përgjegjësitë e tij, duke vendosur që t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorëve italianë dhe shqiptarë.

Avokatët e tij mbrojtës, Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano, thanë në seancë gjyqësore se Moisi Habilaj ka pasur rol të thjeshtë në këtë organizatë kriminale, atë të transportuesit. Dhe për këtë arsye, ata kërkonin që mbi Habilajn mos të rëndonte edhe akuza e kreut të grupit.