Flash News

KRYESORE

20 vjet nga vdekja e Arqipeshkvit të Shkodrës, Frano Ilia, njeriu që ia kushtoi gjithë jetën Fesë e Atdheut

U mbushën plot 20 vjet, kur në moshën 79 vjeçare, më 22 Tetor 1997, u nda nga jeta Arqipeshkvi i Shkodrës  Frano Ilia, i cili 20 vjet të jetës, i kaloi në burgjet komuniste, nën akuzën  “agjent i Vatikanit”. Arqipeshkvi Frano Illia jetoi me moton: “Edhe sikur të më premtojnë njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë”. Moto kjo që ruan ende sot vlerën e aktualitetit.

Imzot Frano Illia lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa më 25 prill 1968 u dënua me vdekje.  Datë e shënuar në jetën e tij është 25 prilli i vitit 1993, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, shndërruar në burgim të përjetshëm, do të shugurohej ipeshkëv nga dora e vetë Papës Gjon Pali II gjatë vizitës së paharrueshme e historike në Shqipëri.  Imzot Frano Illia u bë kështu kryeipeshkvi i parë metropolit, i pas-diktaturës, në Shkodër. Fitoi edhe titullin “Profesor” për punën e tij të palodhur në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Skënderbeut, vepër që pa dritën e shtypit shumë vjet pasi ishte përgatitur për botim. Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë, dom Franoja, njeriu që ia kushtoi gjithë jetën elterit e kulturës kombëtare, Fesë e Atdheut. Kërkonte me këmbëngulje nga katolikët shenjtërimin e jetës e në kultivimin e kulturës.

Shenjtërimit e kulturës i shërbeu gjithë jetën, duke punuar me kujdesin e dashurinë më të madh në misionin e tij meshtar, në njërën anë përherë besnik ndaj Ungjillit të Krishtit e në anën tjetër duke mos e lëshuar kurrë penën nga dora. La kështu pas një vepër që vijon t’i shërbejë kombit e popullit të vet, “Kanunin e Skandërbegut”.

Sot, në përvjetorin e 20-të të vdekjes së tij, kujtojmë se imzot Frano Illia, autor i “Kanuni i Skandërbegut” ishte njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë. La pas veti edhe shembullin e punëtorit të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi tërë jetën me vëllezërit e besimeve të tjera, për të mirën e përbashkët e në emër të bashkimit kombëtar.

Duke ecur në gjurmët e traditës së krishterë ndër shqiptarë, Imzot Franoja jo vetëm që nuk hezitoi të fliste për vëllazërí të sinqertë e ruajtjen e bashkëjetesës në Shkodër e Shqipëri, por edhe organizoi personalisht mbrojtjen e ndërtesave të kultit të qytetit verior, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë islame të ruanin Kishat e duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të Shkodrës. Ishte një ngjarje e paparë ndonjë herë në historinë e kombit shqiptar kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave të 1997-tës. Në fund të jetës ës tij shkroi Arqipeshkvi i Shkodrës, Frano Ilia, shkroi kujtimet, në krye të të cilave la këto fjalë:

“Asht e katërta herë që ia filloj këtij punimi ma shumë të mërzitshëm se të vështirë, por po e rreshtoj që breznitë e tashme e t’ardhshme ta dijnë se çka na gjet e çka vuejtëm na, që të shohin, të besojnë e mos të hutohen por të shikojnë para per veten e vet e të mbasardhesvet të vet brez mbas brezi. Këto që po rreshtoj unë, janë pika gjaku e lotësh për veten teme dhe për të tjerë. Po i rreshtoj sa dij, punët e vuejtjet e mija, që më duken shum të vogla, tue i krahasue me të tjerve edhe shokve të mij në të njajtën fatkeqsi. Unë i ftoj të gjithë ata që kanë pasë fatin e zi apo të bardhë me rrahë rrugën e salvimi, t’i shkruejnë për t’u lanë mbasardhave ato që pamë, që vuejtëm, për hir të së vërtetës e të së mirës. Qe mbasardhsat tonë tue i pa këto e tue i besue, t’ia venë menden vetes e mos të përsëritet ma ajo e kalueme e zezë, me të vërtetë e zezë”. [Imzot Frano Illia, 1997].

Të fundit