Flash News

KRYESORE

“28 paga pa marrë”, naftëtarët e Ballshit përplasen me policinë para zyrës së Ballukut, dhjetëra të shoqëruar

Naftëtarët e Ballshit e zhvendosën protestën e tyre në qendër të Tiranës, ashtu siç kishin paralajmëruar edhe më herë.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të zgjidhur ngërcin e krijuar prej disa muajsh, pagat e prapambetura, të gjendur në vështirësi ekonomike.

Mirëpo, kjo protestë sot u shoqërua me tensione të shumta, pasi forcat e shumta të policisë insistuan vazhdimisht që të shpërndanin turmat dhe të mos i lejonin ata të hynin në MIE ku edhe synonin që në krye të herës.

Ata deklaronin të irrituar në media se kishin 28 paga pa marrë dhe se asnjë përfaqësues i ministrisë nuk i kishte pritur dhe diskutuar për shqetësimet e tyre.

Protesta e cila zgjati disa orë paraditen e së enjtes u shoqërua herë pas here me tensione dhe përplasje mes protestuesve, mes tyre edhe qytetarë e shoqëria civile, si dhe pranisë së shtuar policore, mes tyre edhe forcat Shqiponja.

Pas tensioneve mes tyre, përfshirë edhe gra, vajza e të rinj, pati disa të shoqëruar. madje, disa prej tyre janë fiksuar në media duke u shoqëruar me forcë nga policia për t’u shoqëruar më pas në komisariat me furgon.

Policia u kërkonte protestuesve të evitojnë turmat për shkak të protokolleve anti-covid dhe se në kushte të tilla tubimet nuk janë të ligjshme. Por, turma ka vijuar protestën me sloganin ‘Duam pagat tona”.

Lexo edhe: Naftëtarët/ Policia nis shoqërimet e protestuesve, gruaja e revoltuar në derën e ministrisë: I kemi marrë masat për dhunë

PD: Qytetarët u dhunuan nga policia, e turpshme!

Partia Demokratike ka reaguar pas protestës së naftëtarëve të Ballshit shoqëruar me tensione sot para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas PD,  Policia e Shtetit nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve dhe se naftëtarët janë në të drejtën e tyre për të kërkuar pagat e prapambetura dhe vijimin e punës.

“Qytetarët nuk mund të shfrytëzohen, të mos paguhen dhe, në vend të zgjidhjes, të dhunohen nga Policia. Kjo është e turpshme!

Edi Rama nuk duhet të fshihet pas punonjësve të Policisë! Ai duhet të mbajë premtimet që u ka dhënë naftëtarëve. Të autorizojë Belinda Ballukun që të presë përfaqësinë e naftëtarëve!

Qeveria duhet të dëgjojë zërin e naftëtarëve dhe t’u zgjidhë problemin pa vonesa dhe mashtrime të tjera.

Policia e Shtetit nuk duhet të jetë përballë qytetarëve, por përballë atyre që e vjedhur Rafinerinë e Ballshit”, reagon PD.

Disa nga momentet më pikante të protestës:

Të fundit